Pacolli thotë se nuk ka që i përçan më me LDK-në dhe të tjerët

Pacolli thotë se nuk ka që i përçan më me LDK-në dhe të tjerët

 

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli është zotuar para partnerëve të tjerë të koalicionit LDK-së dhe Alternativës se do të punojnë bashkë shumë kohë.

“Dua të ju sigurojë që ne do të rrugëtojmë së bashku dhe do të jetë vështirë të ndahemi”, ka thënë Pacolli.

Ai në tubimin elektoral në Pejë ka thënë se familja politike rugoviste është plotë.

“Jemi kthyer në shtëpinë e madhe të Ibrahim Rugovës. Kështu ka dashur ai.”, ka theksuar Pacolli.

“Do të jem në dispozicion të punës suaj, do të ju rri mbrapa dhe jam i bindur se do të kemi sukses”.

“Ne nuk jemi koalicion i dhunës. Ne e dëgjuam njëri – tjetrin ashtu siç thoshte Rugova se i mençuri dëgjon.  Rugova thoshte se të jemi së bashku jemi më të fortë për paqe. I forti i paqes është i forti i ekonomisë, dijes, i fortë në programe, në respektimin e ligjit dhe i forti i paqes krijon shpresë dhe jo frikë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se koalicioni LDK-AKR-Alternativa do ta zhvillojë vendin.

“Ne do të punojmë që të kemi rritje ekonomike 8% e cila krijon mirëqenie, krijon të hyra buxhetore dhe sjell investime. Ekonomia jonë do të lëvizë lirshëm dhe nuk do të njeh kufi”.

Pacolli ka thënë se thashethemet për një ndarje të tyre janë të pavërteta, njofton Klan Kosova.

“Nuk ka që na përçan më”, ka shtuar ai. “Jemi bashkuar për destinacion të largët”.

“Thashethemet se do të ndahemi janë të kota, ne do të rrugëtojmë së bashku deri te implementimi i synimit tonë – një Kosovë e zhvilluar, një Kosovë e qytetarit, një Kosovë ku gjithë qytetarët do të jetojnë pa frikë”, ka shtuar ai.