Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas krekosjes së Beogradit me rastin e publikimit të librit të Nebojsha Pavkoviq, i cili është promovuar nga Ministria e Mbrotjes së Serbisë në një panair libri.
Pacolli thotë se ditari i luftës së kryekriminelit Pavkoviq, i cili është i dënuar me 22 vite burg për krime lufte nga Tribunali i Haës për krime dhe gjenocid kundër kosovarëve, është turp për Serbinë.
Reagimi i plotë i Pacollit:
Këtë fund të tetorit, në kuadër të një panairi të librit në Beograd, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, ka promovuar librin, respektivisht ditarin e luftës së kryekriminelit të denuar me 22 vite burg, nga Tribunali i Hages për krimet dhe gjenocidin ndaj qytetarëve të Kosovës, Nebojsha Pavkoviq. Nga perspektiva e kriminelit, Pavkoviq në këtë libër mburret për përballjen e Serbisë me NATO-n.
Po e nënvizojë turpin, me të cilin përmes këtij libri krekoset Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, dhe për përmbajtjen agresive të këtij libri.
Shpresoj që të njëjtën qasje ndaj këti publikimi të turpshëm do të kenë edhe homologët e mi e vendet anëtare të NATO-së dhe institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.
Disa nga kryekriminelët në Serbi janë dënuar, të tjerë shëtisin të lirë, por sidoqoftë Serbia duke promovuar libra të kriminelëve të rangut ndërkombëtar vazhdon të mbetët e burgosura e të kaluarës së saj të turpshme në rajon.