Pacolli thotë se vonesat për vaksinat i shkaktoi ndërrimi i qeverive

Pacolli thotë se vonesat për vaksinat i shkaktoi ndërrimi i qeverive

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se problem kryesor për vonesat e vaksinave anti-COVID’19 është ndërrimi i qeverive, transmeton Insajderi.

Ajo thotë se ka informacione që gjatë ditëve në vijim, Kosova do të marrë një numër të nevojshëm të vaksinave.

“Nuk e di se kur pritet të vijë kontingjenti tjetër por duhet ta pyesni Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata besoj kanë informata të sakta. Mirëpo ditëve në vijim ne kemi informacione që Kosova do të marrë vaksinat një numër të vaksinave që janë të nevojshme. Është e rëndësishme që popullata të vaksinohet sa më shpejt dhe kjo nuk është vetëm problem i Kosovës por edhe i BE-së. Ne e dimë se BE ka probleme me furnizimin me vaksina edhe në vendet e tyre po ashtu problem është ndryshimi i qeverive në Kosovë në periudhën e pandemisë sidomos në rrëzimin e qeverisë Kurti dhe këto vonesa janë e ish qeverisjes së kaluar e cila nuk ka nisur negociata për vaksina shumë më herët. Qeveria Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë po bëjnë të pamundurën që të sigurojë vaksina sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ajo për EO.

Pacolli tutje përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, për çka thotë se nuk është prioritet thelbësor, duke shtuar se prioritet i qeverisë është zhvillimi ekonomik i vendit, hapja e vendeve të reja të punës dhe drejtësia në vend.

“Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është se me vizitën e zotëri Kurti në Bruksel ka filluar një dialog ndërmjet Kosovës dhe BE-së jo ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse është diskutuar për çështje të caktuara sidomos me komisioner të ndryshëm për çështje të bujqësisë, mjedisit dhe energjisë. Janë çështje që duhet të diskutohen me BE-në. T’i plotësojmë kriteret t’i bëjmë reformat e nevojshme në mënyrë që të hapim rrugë Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Çështja e dialogut me Serbinë është çështje që duhet të diskutohet dhe do të dialogojmë me Serbinë mirëpo nuk është prioriteti thelbësor i qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës. Prioritet kemi zhvillimin ekonomik vendit, shtimin e vendeve të reja të punës dhe drejtësi në vend”, tha ajo.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 26 prill ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të vazhdojë më 11 maj. /Insajderi.com