I zgjedhuri për deputet nga Aleanca Kosova e Re në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka treguar arsyet se pse nuk është betuar sot si deputet në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli tha se për arsye tashme të njohura, nga kufizimet e shkaktuara nga pandemia, është privuar nga betimi i deputetit.
Ai shtoi se këtë gjë do ta bëjë në seancën e radhës.
“Për arsye tashmë të njohura, nga kufizimet e shkaktuara (sidomos ditëve të fundit) nga pandemia, me privoj, edhe për kundër dëshirës sime unë sot nuk mund të merrja pjesë në Kuvend për të dhënë betimin dhe filluar punën, por që një gjë të tillë do ta bëj në seancën e radhës”, ka shkruar ai.
Edhe pse pritej të betoheshin 120 deputetë të rinj të Kuvendit të Kosovës, sot këtë detyrë e kryen vetëm 114. /Insajderi.com