Pacolli premton hapjen e dhjetëra fabrikave

Pacolli premton hapjen e dhjetëra fabrikave

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë sot se do të investojë në hapjen e dhjetra fabrikave në Kosovë, duke marrë si shembull një fabrikë në të cilën ai ka investuar 30 milionë euro, në Ferizaj.

Vizita e parë ishte në Fabriken IMK (Industria Metalike e Kosovës) ne Ferizaj, investim ky i Presidentit Pacolli. Kjo fabrikë përdorë teknologji moderne, ndërsa posedon kushte shumë të mira për prodhimin e tubave të cilësisë më të lartë, njofton AKR-ja përmes një komunikate.

“Kjo fabrikë është iniciative e imja në të cilën janë investuar mbi 30 milionë euro”, tha Presidenti Pacolli dhe shtoi se me qeverisjen e AKR-së, do të hapen edhe dhjetëra Fabrika të tjera.

Duke i vëzhguar nga afër kapacitetet prodhuese të kësaj fabrike, lideri i AKR-së tha se qëllimi i tij është ngritja e fabrikave me teknologji të avancuar. “Tendenca është hapja e Fabrikave që përdorin teknologji të avancuar. Me këtë lloj avancimi në teknologjinë e fabrikave, do të rritet edhe numri i të punësuarve”, ka shtuar më tej presidenti Pacolli.

Vizita më pas vazhdoi në kompaninë Dardania Model, në fshatin Koshare të Ferizajt, e cila prodhon mobile, kryesisht për eksport.

Bashkë me kandidatët për deputetë nga radhët e AKR-së, Presidenti Pacolli shprehu gatishmërinë e tij për sjelljen e investitorëve të rinj në Kosovë. Ai tha Aleanca Kosova e Re në qeverisje do t’ju jap hapësirë ndërmarrjeve me kapitale milionëshe, të cilat do t’i sjellin Kosovës përfitime të mëdha. /Insajderi.com