Paditësi kërkon 20 mijë euro nga Mimoza Kusari-Lila

Paditësi kërkon 20 mijë euro nga Mimoza Kusari-Lila

Hasan Berisha, më 20 mars të vitit të kaluar, kishte ushtruar padi ndaj ish-kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, nga e cila kërkon 20 mijë euro në emër të kompensimit të dëmit.

Këtë padi, Berisha e kishte ushtruar me pretendimet se ish-kryetarja e Gjakovës, në një deklarim publik, kishte shpifur ndaj tij dhe e kishte fyer atë, me rastin kur e kishte përmendur emrin e paditësit si manipulues të pronave.

Lidhur me këtë rast, të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, është mbajtur seancë gjyqësore.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Afrim Radoniqi, deklaroi se nga parashtrimet e seancave të kaluara dhe nga provat e bashkangjitura në kërkesëpadi, është vërtetuar fakti se e paditura mban përgjegjësinë ligjore për shkaktimin e dëmit të pariparueshëm moral ndaj paditësit, pasi sipas itj, e paditura duke shfrytëzuar mjetet e informimit, ka dhënë deklarime duke përdor shpifje dhe fyerje ndaj paditësit.

Njëherësh, përfaqësuesi i paditësit, bëri edhe precizimin e kërkesë padisë duke kërkuar nga pala e paditur shpërblimin e dëmit personal në shumën prej 20.000 euro.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës Kusari-Lila, avokati Gazmend Nushi, kërkoi që kërkesëpadia të hudhet si e palejuar për shkak të mos respektimit të dispozitës imperative të përcaktuar nën nenin 12 të Ligjit Civil, e cila përcakton parakushtin ligjor para se të ngritet padi për shpifje, e që sipas tij, është “detyrimi për ta zbutur dëmin”.

Tutje, avokati Nushi, deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë dhe kërkesën e saj, pasi që nga provat e dorëzuara, respektivisht nga teksti i printuar i deklaratës së të paditurës, nuk ka asnjë element të shpifjes apo të fyerjes.

Pas kësaj, palët ndërgjyqëse kërkuan që fjalën përfundimtare ta paraqesin në formë të shkruar, andaj gjykatësi Drilon Haraçia, u dha 7 ditë kohë me qëllim të dorëzimit të fjalës përfundimtare e më pas do të vendosë lidhur me çështjen.

Sipas kërkesëpadisë së ngritur më 20 mars 2017, paditësi Hasan Berisha, e ka paditur ish-kryetaren e Komunës së Gjakovë, Mimoza Kusari- Lila, për kompensim dëmi, me rastin e deklarimeve në media.

Sipas padisë, e paditura Mimoza Kusari- Lila, më 24 dhjetor 2016, kishte dhënë një deklaratë në portalin Kallxo.com, me të cilën është përmendur edhe emri i paditësit Hasan Berisha, ku siç thuhet në padi, është cilësuar si një manipulues i pronave dhe si një individ i cili dëshiron me çdo kusht që ekzekutivi të bëhet vegël e tij e vazhdimit të pasurimit, ndërtimit e të tjera.

Në bazë të kësaj deklarate dhe disa deklarimeve tjera, paditësi Hasan Berisha, pretendon se i është dëmtuar imazhi dhe është linçuar, andaj kërkon nga gjykata që kërkesëpadinë e tij ta miratojë duke e vërtetuar dëmin që i është shkaktuar paditësit dhe të detyrojë të paditurën në shpërblimin e dëmit prej 20.000 euro, duke përfshirë edhe shpenzimet e procedurës.

Paditësi, po ashtu kërkon nga gjykata, që e paditura Mimoza Kusari- Lila, të demantojë shpifjet ndaj paditësit të publikuara në mjetet e informimit.