Paditësi kërkon 900 euro kompensim nga kompania e sigurimeve “ILLYRIA”, kjo e fundit kërkon refuzimin e padisë si të pabazuar

Paditësi kërkon 900 euro kompensim nga kompania e sigurimeve “ILLYRIA”, kjo e fundit kërkon refuzimin e padisë si të pabazuar

900 euro kompensim në emër të dëmit material dhe jo material të pësuar në një aksident trafiku,  po kërkon Haki Gashi nga kompania e sigurimeve “ILLYRIA”.

Në anën tjetër, refuzimin si të pabazuar të kësaj padie i ka propozuar gjykatës, e paditura “ILLYRIA”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë padi të ushtruar nga Gashi, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, është mbajtur seanca përgatitore.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i paditësit, avokati Rasim Hoti tha se qëndron në tërësi prapa padisë së ushtruar ndaj kompanisë së sigurimeve “ILLYRIA”, duke i ofruar gjykatës si prova edhe një mendim të ekspertit të komunikacionit, si dhe një aktvendimi të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, me numër, P.nr.239/10.

Ky aktvendim, sipas Hotit është bërë i plotfuqishëm me 13 janar 2015, prandaj sipas tij, në bazë të këtij aktvendimi shihet se në këtë lëndë kontestimore nuk kemi të bëjmë me parashkrim, pasi që pala paditëse është njoftuar nga gjykata në vitin 2015 se është pushuar procedura penale ndaj të pandehurit Arsim Rudi, i cili automjetin e kishte pasur të siguruar tek e paditura.

Përfaqësuesi i paditësit, gjithashtu i propozoi gjykatës që për seancën e radhës të ftohen për tu dëgjuar edhe ekspertët mjekësor, për të konstatuar lëndimet dhe frikën që e ka pësuar paditësi me rastin e aksidentit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës “ILLYRIA”, Ardit Buxhuku tha se mbetët në tërësi pranë përgjigjes në padi pasi që siç tha, për të paditurën është kontestuese baza juridike e padisë.

Kjo, pasi sipas Buxhukut, bazuar në shkresat e lëndës, shihet se aksidenti kishte ndodhur me 22 maj 2010, ndërsa padia në gjykatë është dorëzuar me 14 mars 2016, me çka vazhdoi Buxhuku, kemi të bëjmë me parashkrim në këtë çështje kontestimore, andaj i njëjti kërkoi nga gjykata që padinë ta refuzojë si të pa bazuar.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi i çështjes, Betim Behluli, me aktvendim përfundoi seancën përgatitore, ndërsa lidhur me propozimet e palës paditëse tha se do të vendos jashtë seancës.

Ndryshe, më 14 mars 2016, Haki Gashi, kishte ushtruar padi kundër të paditurës kompanisë së sigurimeve “ILLYRIA”, për kompensimin e dëmit material në vlerë prej 900.00 euro.

Sipas padisë, me 22 maj 2010, nga pakujdesia i padituri Arsim Rudi ka shkaktuar aksident trafiku dhe i shkakton dëme materiale të dëmtuarit Haki Gashi, ndërsa me rastin e aksidentit, automjeti i të paditurit ka qenë i regjistruar tek e paditura, kompania e sigurimeve “ILLYRIA”.

Tutje, në padi thuhet në bazë të këtyre fakteve, paditësi ka ngritur padi për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga autopërgjegjsia ndaj të paditurës “ILLYRIA”.