
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka thënë se vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar nuk përbën konflikt interesi, pavarësisht konstatimit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) që thotë se rritja e pagave është realizuar në kundërshtim me ligjin.
Në konstatimin e saj, të publikuar sot, AKK-ja ka thënë se zyrtarët e lartë publik (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”.
AKK ka konstatuar se “konflikti i interesit është shkaktuar vetëm për zyrtarët e lartë që kanë qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes”.
Mirëpo, Arbër Vllahiu, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për Insajderin se opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsionit është udhëzues, dhe se Qeveria është në proces të përpilimit të një përgjigjeje që do të sqarojë vendimin për rritjen e pagave.