
Gjergj Dedaj u emërua ambasador i Kosovës në Maqedoni në muajin nëntor të vitit të kaluar, edhe pse kundër këtij emërimi kishin dalë organizata e parti politike në shtetin fqinj të Kosovës.
E prej asaj kohe, Dedaj përfiton rreth 3500 euro në muaj nga Ministria e Punëve të Jashtme për punën si Ambasador i Kosovës.
Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Dedaj ka deklaruar se posedon veturë në vlerë gati 20 mijë euro.
E profili i Dedajt nuk është pozitiv. Ai njihet për të bëmat e tij në të kaluarën.
Gjatë vitit 2010, ai ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, nën dyshimin se ka keqpërdorur paratë e Ministrisë së Punës, në kohën sa në këtë dikaster mbante pozitën e zëvendësministrit.
Dedaj dyshohej se brenda një periudhe prej 11 muajve, kishte shfrytëzuar 33 mijë euro nga kredit-kartelat e Qeverisë dhe mbi 8 mijë euro të tjera për avance pa mbulesë.
Dedaj ka edhe histori të tjera për mos shlyerje të borxheve.
Në vitin 2012 ai është paditur nga një qytetar për shkak se i ka mbetur borxh disa mijëra euro për banesën që ai e kishte shfrytëzuar si zyrë në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.
Gjergj Dedaj është themelues i Partisë Liberale të Kosovës. /Insajderi.com