Pajaziti: Personat me aktakuza, jashtë listës së PDK-së

Pajaziti: Personat me aktakuza, jashtë listës së PDK-së

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të përfshijë në listën për deputet, njerëz që kanë të ngritur aktakuza.

Pajaziti, i ftuar në emisionin Interaktiv të KTV-së, ka thënë se këtë vendim PDK e ka marrë pas sugjerimeve të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Ambasadës amerikane.

“Siç ka thënë zyra e BE-së që njerëzit me aktakuza të mos garojnë në zgjedhje për deputet, edhe ne sot gjatë ditës kemi pas bisedime që me kritere të përpilohet lista. Pra njerëzit që janë të përfshirë në aktakuza nuk do të jenë në listë”, ka thënë Pajaziti, shkruan Insajderi.

Kur është pyetur se a do të jetë pjesë e kësaj liste ish-deputeti, Shukri Buja, i cili ka të ngritur një aktakuzë, Pajaziti ka thënë: “Nuk mund të them këtë, pa u përpiluar lista”.

Listat e deputetëve nga partitë apo koalicionet parazgjedhore të formuara, duhen të dërgohen në KQZ sot para orës 00:00. /Insajderi.com