Pakt kundër korrupsionit dhe shtim të vendeve të punës – këto ishin premtimet e sotme të kandidatëve për kryeministër

Të gjithë po e presin të dielën e 6 tetorit, por për të shkuar deri tek kjo datë, qytetarët do të detyrohen të dëgjojnë premtime, fjalime dhe deklarata të kandidatëve për kryeministër të Kosovës, për t’i bindur ata që të marrin një votë nga ta.

Pakt kundër korrupsionit dhe shtim të vendeve të punës – këto ishin premtimet e sotme të kandidatëve për kryeministër

Çdo ditë, e këtyre politikanëve fillon me premtime e fjalime ndonjëherë edhe të përsëritura. Duke filluar nga premtimet boshe se do të luftohet korrupsioni e nepotizmi e deri tek përkrahja që ju premtohet në çdo zgjedhje fermerëve dhe të rinjve kosovarë, shkruan Gazeta Insajderi.

Sefte premtimeve për ditën e sotme ia bëri i pari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli. Ai kishte thirrur një konferencë për media që nga dita e djeshme.

Në këtë konferencë Veseli prezantoi një “Pakt Kundër Korrupsionit”.

Si duket i pari i PDK-së e ka marr seriozisht luftimin e korrupsionit, ai shpalosi paktin dhjetë pikësh për ta luftuar korrupsionin. Veseli ftonte të gjithë partitë politike që ta nënshkruanin këtë pakt, mirëpo të gjithë e refuzuan.

“Kjo është arsyeja pse unë prezantova sot Paktin Kundër Korrupsionit dhe ftova të gjithë liderët e partive që ta nënshkruajnë dhe zbatojnë. Dhjetë pikat e tij shërbejnë për të rinovuar besimin e qytetarëve te politikanët, duke dëshmuar se jemi serioz dhe të sinqertë në luftën kundër korrupsionit”, kishte thënë Veseli.

Por të gjithë partitë e refuzuan. Disa e krahasuan me Pablo Escobarin e disa e quajtën fallxhor Veselin.

Ndërsa i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot kishte vendosur të dal në teren dhe të takohet me fermerë kosovarë.

Haradinaj kishte zhvilluar takime me disa fermerë në Rahovec, Xërxë dhe Krushë të Madhe.

Të gjithëve këtyre fermerëve, Haradinaj ju premtoi se nëse do të bëhet sërish kryeministër i vendit do të ketë rritje të prodhimit, vende të reja pune ndërsa para grave në Krushë të Madhe, Haradinaj u zotua që t’i përkrah në biznesin e tyre.

“Kombinati “Krusha”, falë punës frymëzuese e të palodhshme të grave, sot ka fituar respektin e të gjithë neve, si tregim suksesi. Ne, zotohemi se do të përkrahim edhe në të ardhmen, gratë e guximshme të Krushës së Madhe dhe tërë Kosovës, në projektet e tyre të reja sipërmarrëse. Koncepti 100% shtet mbështetet tek njerëzit e vendosur që nuk zmbrapsen para sfidave”, ka shkruar Haradinaj.

E në këtë kohë fushate ende të pa fillua zyrtarisht, Fatmir Limaj kandidati për kryeministër nga koalicioni AKR – Nisma, para qytetarëve të Prizrenit shpalosi programin e tyre.

“Qytetarët e Kosovës e kanë para vetës një koalicion të mirë që do të jetë pranë tyre në çdo kohë. Nuk do të flasim më popullizëm, por do të flasim e shpalosim programin me çështje konkrete dhe që janë në interes për vendin”, është shprehur Limaj.

E kandidatja e vetme femër në garën për kryeministër, Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka mbajtur një tubim në të ashtuquajturën vatrën e simpatizantëve të LDK-së, në Kodrën e Trimave, në Prishtinë.

Në këtë tubim, Osmani ju tha banorëve të Kodrës së Trimave se e gjithë Kosova din për kontributin e tyre. Ajo ishte kthyer 20 vjet dhe iu kishte përmendur luftën e Kosovës këtyre banorëve për t’i binduar ata që ta votojnë.

Osmani gjatë fjalimit të saj nuk i munguan akuzat për pushtet ajo tha se “boll ma për njerëzit që kuletën e shtetit e konsiderojnë si të veten, boll ma me mashtrues e boll ma me ata që e këmbejnë të ardhmën e fëmijëve tanë për interes të vetin personal”.

Por si duket më i përmbajtur për premtime është lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Sot Kurti ka qëndruar i heshtur, përveç një aderimi në qendrën e tyre në Gjilan, nuk është parë ndonjë aktivitet i tij. /Insajderi.com