Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk po arrin ta stabilizojë Kosovën.
Lekaj ka thënë se përkundër ultimatumit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka kërcënuar se do të krijojë Asociacionin e Komunave Serbe sipas ligjeve të Serbisë, Mustafës nuk po i dësgjohet zëri.
Madje, ish-kryetari i Komunës Gjakovës e ka krahasuar kryeministrin Mustafa me “pulën e detit”. Ai ka thënë se Kosova nuk do të jetë kurrë e pavarur për sa kohë që Mustafa të jetë kryeministër.
“Banditi Gjuriq me ultimatum, kërcënon me krijimin e Asociacionit sipas ligjeve të Serbisë, ndërsa kryeministri i Kosovës si pulë e detit që nuk i dëgjohet zëri. Me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të jetë e ndikuar nga Serbia dhe s’do të jetë asnjëherë e pavarur”, ka thënë Lekaj, raporton Insajderi.
Lekaj ka thënë se një nga problemet e Kosovës është Lista Serbe, e cila sipas tij i merr direktivat nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.
“Problemi ndër të shumtë për Kosovën është edhe Lista Serbe që më mend furnizohet në Beograd e veprat e dëmshme, sipas direktivave të Vuçiqit, i realizon në Kosovë. Siç është rasti më Asociacionin dhe insistimin e tyre për ta bërë atë medoemos”, thotë Lekaj.
Deputeti i AAK-së në kuvend ka thënë se “me Isa Mustafën kryeministër, Kosova do të vazhdojë të konsiderohet nga Serbia si pronë e saj.” /Insajderi.com