Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar se do të monitorojnë 24 orë Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti dhe se do të jenë syçelë në dialogun me Serbinë.
Ndërsa lidhur me publikimin e “non paper”-it që pretendohet se është franko-gjerman e në të cilin flitet për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Lekaj ka deklaruar se institucionet e vendit nuk duhet të hyjnë në analizën e një dokumenti të tillë, derisa nuk ka diçka të qartë nga Bashkimi Evropian.
Përmbajtjen e atij dokumenti, Lekaj e ka quajtur të papranueshme, ndërsa ka theksuar se nuk do të lejojnë ndryshimin e kufijve me Serbinë, Asociacionin me kompetenca ekzekutive, dhe as autonominë për pjesën veriore të vendit.
Lekaj ka kritikuar ekzekutivin për vonesat në sigurimin e vaksinave anti-Covid 19, mungesën e programit qeverisës dhe pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në zgjedhjet në Shqipëri.
“Nuk kemi një platformë për dialog, një analizë si do t’i qaset zotëri Kurti. Këto drafte ‘non paper” mendoj se duhet t’i analizojmë nga kush kanë ardhur, dihet se në diplomaci këto nuk firmosen nga qeveritë dhe nuk saktësohet nga cili vend. Por, ne nuk guxojmë të hyjmë në analiza derisa nuk kemi një dokument të qartë nga Brukseli. Ne si opozitë do të insistojmë për mos ndryshim të kufijve, nuk ka distrikt apo autonomi për pjesën veriore, nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive dhe këtu do të jemi syçelë dhe monitorues 24 orë”, ka thënë ai për Kp.
Ish-ministri nga AAK ka thënë se kryeministri Kurti sigurimin e vaksinave e ka sekondare, ndërsa bredh në Bruksel.
“Prioritet i zotëri Kurtit duhet të jetë vaksinimi i qytetarëve. Nuk ka asnjë prioritet tjetër. Por po e shohim edhe pse po ballafaqohemi me vështirësi të vaksinave, zotëri Kurti nuk e ka pa të udhës që më të vërtetë t’i qaset drejt dhe në favor qytetarëve, por e ka lënë si sekondare dhe sot bridhet në Bruksel”, ka pohuar Lekaj.
Në kuadër të një vizite zyrtare në Bruksel, kryeministri Albin Kurti është duke zhvilluar takime me përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Ndërkohë dje bëri të ditur se nuk do të takohet më 11 maj me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të rifilluar dialogun./Insajderi.com