Pala serbe: Në Bruksel është hapur tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Pala serbe: Në Bruksel është hapur tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Shefi i së ashtuquajturës “Zyre për Kosovën”, Petar Petkovic, ka thënë se në takimin e sotëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është diskutuar çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai tha se të gjithë duhet ta dinë se cilat çështje ngrihen në tryezën e diskutimit, raporton agjencia e lajmeve serbe, Tanjug.

“Takimi ynë dypalësh dhe trepalësh filloi me çështjen e Komunave me shumicë serbe. Të gjithë duhet ta dinë se çfarëdo çështje që ngrihet, cilado çështje diskutohet në dialog, ne nuk mund të përparojmë pa formimin e Asociacionit. Tani është e qartë për të gjithë”, u tha Petkoviç gazetarëve në Bruksel”, tha ai.

Ndërkohë nga Qeveria e Kosovës nuk është përmendur të jetë diskutuar çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vetëm është thënë se nuk ka pasur asnjë rezultat në takimin e sotëm ndërmjet dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Insajderi.com