Avokati, Dastid Pallaska, ka reaguar në lidhje me siç e ka quajtur ai “njëanshmërinë” e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, duke thënë se Qeveria duhet të kërkojë llogari nga Bashkimi Evropian e të mos e pranojë sllovakun si “ndërmjetësues i anshëm”.
Lajçak, gjatë postimit në Twitter për takimin që kishte me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislim, nuk e kishte përmendur emrin e shtetit të Kosovës.
Pallaska e cilësoi si të papranueshme edhe mosreagimin e Qeverisë.
“Përderisa skandali me hartën në zyrën e tij, ku Kosova ishte paraqitur si krahinë e Serbisë, u cilësua si gabim i pafajshëm, nuk ka asnjë arsyetim për mos-përmendjen e emrit të shtetit të Kosovës në deklaratën e Zt. Lajçakut për takimin virtual me Zëvendës Kryeministrin e vendit”, tha Pallaska.
Përndryshe, biseda vrituale e Lajçakut me Besnik Bislimin, ishte e para që kur është formuar Qeveria e Albin Kurtit. /Insajderi.com