“Palmer dha sinjalet e para se administrata e re e SHBA-së vazhdon angazhimin në dialogun Kosovë-Serbi”

“Palmer dha sinjalet e para se administrata e re e SHBA-së vazhdon angazhimin në dialogun Kosovë-Serbi”

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, ka vlerësuar mesazhet e zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, që dha gjatë së enjtes së 11 marsit për politikën kosovare, transmeton Insajderi.

Sipas Kiçmarit këto janë sinjale të para të administratës së re të SHBA-së se do të vazhdojnë angazhimin e tyre në lidhje me dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Po shihet që është krijuar një atmosferë e re. Pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe pas zgjedhjet në SHBA, Matthew Palmer ka dhënë sinjalet e para se SHBA do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në lidhje me dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve”, tha ai në ‘Info Magazinë’ të Klan Kosovës.

“Vetë letra e presidentit Biden, dërguar presidentit serb ishte një sinjal i qartë që mund ta regjistrojnë në rrafshin analitik si një lloj kthese duke përmendur rezultatin përfundimtar të një dialogu të tillë që është njohja e ndërsjellë, e thënë në letrën e presidentit Biden, që për mua është një sinjal shumë pozitiv, dhe më duket se edhe i rëndësishëm për vet palën serbe që ta regjistrojë se kjo rrugë, ky proces dialogu do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë”.

“Në bazë të atyre që arrita të regjistrojë nga informacionet nga takimet online, janë mesazhe miqësore që kemi pritur nga Administrata e re e Presidentit Biden dhe besoj që këto sinjale janë një shenjë e mirë në përgatitjen e klimës, për një dialog të barabartë me principe dhe që ka për rrjedhim një proces që do të duhej të përfundojë me njohjen e ndërsjellë”, është shprehur Kiçmari. /Insajderi.com