Zëvendës asistenti i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mathew Palmer, ka thënë se SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket marrëveshje së mundshme përfundimtare ndërmjet dy shteteve, SHBA-ja do të flas vetëm pasi të jetë në dijeni se çfarë marrëveshje pritet të arrihet.
Palmer ka folur edhe për rrugën evropiane të dy vendeve, duke thënë se Serbia duhet patjetër që të pajtohet me Kosovën, ndërkohë sa i përket BE-së, Palmer thotë që liberalizimi i vizave për Kosovën është një hap logjik që duhet të ndërmerret, transmeton Gazeta Express.
Zëvendës asistenti i Sekretarit të Shteteve të bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, ka thënë se Republikës së Kosovës dhe Serbisë, duhet të i’u jepet kohë e mjaftueshme për të arritur marrëveshjen më të mirë të mundshme.
Këto deklarime Palmer i ka bërë në një intervistë për ‘European Western Balkans’, ku ka folur edhe për qëndrimin e SHBA-së karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.
I pyetur nëse çasja e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar që nga ardhja e Trumpit në pushtet, Palmer ka thënë se gjithmonë ka lëvizje në politikë, megjithatë sipas tij politika e SHBA-së mbetet e përkushtuar ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne mbetemi të fokusuar dhe përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur qëllimet e tyre, që është integrimi në instancat evropiane dhe euroatnaltike”, ka thënë Palmer.
Ai ka folur edhe sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që ne dëshirojmë të shohim është një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është që t’iu japim palëve hapësire për të negociuar marrëveshjen më të mirë të mundshme. Diçka që është e drejtë dhe e qëndrueshme. Diçka që është e mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, ka thënë Palmer.
Palmer ka thënë se SHBA-ja nuk është e përfshirë në këto negociata.
“Ne do të dëshironim që të dy palët të negociojnë marrëveshjen më të mirë të mundshme. SHBA-ja sigurisht nuk është palë në këto negociata. Ne nuk marrim pjesë në këtë proces. Por ne po inkurajojmë të dy palët për të arritur një marrëveshje” ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se SHBA-të do të flasin vetëm në momentin kur do ta kuptojnë se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë.
“Në momentin që do ta dimë se çfarë marrëveshje është, atëherë në rast se kemi shqetësime lidhur me të, atëherë do t’ua themi të dy palëve për çdo rezervë që mund të kemi rreth asaj marrëveshje. Por mendoj se është e rëndësishme që marrëveshja të arrihet nga vetë liderët e të dy vendeve”, ka thënë ndër të tjera Palmer.
I pyetur nëse SHBA-ja ka vija të kuqe sa i përket marrëveshjes së mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Palmer ka thënë se një gjë e tillë do të shqyrtohet pasi të dihet marrëveshja.
“Do të donim që palët të kenë hapësirë për të negociuar marrëveshjen. Do ta shqyrtojmë atë, dhe nëse ka shqetësime, do t’i artikulojmë ato shqetësime”, është shprehur Palmer.
Palmer thotë se interesat e SHBA-së dhe Evropës karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor janë identike. Ai shton se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të jetë hapi i ardhshëm dhe logjik i BE-së.
Sipas tij Serbia duhet patjetër të pajtohet me Kosovën, në mënyrë që të ecë lirshëm drejt integrimit evropian.
“Ne i mbështesim negociatat e udhëhequra nga BE. Mbështesim rolin e BE-së, për të ndihmuar Beogradin dhe Prishtinën që të bien dakord për normalizimin e raporteve”, ka thënë Palmer.
Politikani amerikan thotë se marrëveshja e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta zvogëlonte dhe ndikimin që Moska ka mbi Serbinë.
.“Besoj se nëse Prishtina dhe Beogradi janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, kjo do të zvogëlojë ndikimin që Moska ka me Serbinë” ka përfunduar Palmer.