
Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritja e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë është një çështje e karakterit urgjent.
Kështu ka deklaruar përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për televizionin serb N1, transmeton Insajderi.
Një gjë të tillë Palmer e ka thënë kur është pyetur nëse ka një afat kohor për arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve.
Ai tutje ka thënë se sa më gjatë që pritet aq më i komplikuar do të bëhet ky proces.
“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë që presim, do të bëhet edhe më e vështirë dhe gjithë sfidat përpara do të bëhen edhe më të komplikuara”, ka thënë Palmer.
Ai po ashtu ka folur edhe për rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Ne qartë ua kemi thënë partnerëve tonë në Beograd dhe Prishtinë. Është obligim i të dy palëve që të implementojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tillë duhet të ndodhë”, ka shtuar Palmer./Insajderi.com