Palmer: Marrëveshja të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë

Palmer: Marrëveshja të jetë e pranueshme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë

Matthew Palmer, emisar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se ShBA-ja nuk do të imponojnë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën, dhe se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë e pranueshme nga udhëheqja dhe qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse ka një afat për arritjen e një marrëveshje, ai është shprehur se “nuk beson se ka një afat” por që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë atë “një çështje urgjente”.

“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë dhe të gjitha sfidat do të jenë më të komplikuara”, ka thënë Palmer në një intervistë për televizionin N1.

Palmer ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe i dërguari i tij Mirosllav Lajçak dhe se ai shpreson që të dy palët të vazhdojnë negociatat së shpejti.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor gjithashtu ka komentuar deklaratën e liderit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se dialogu nuk është ndër përparësitë e tij.

“Kam dëgjuar përparësitë që Kurti vuri në dukje – transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë – këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë,” tha ai./Insajderi.com