
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takim virtual me Zëvendës Ndihmës Sekretarin në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor në DASH, Mattheë Palmer, transmeton Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Palmer i përcolli urime Osmanit për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, duke potencuar rëndësinë e themelimit të institucioneve e duke reflektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Nga ana tjetër, Osmani theksoi që fokusi aktual është pikërisht në themelimin e institucioneve pa vonesa në mënyrë që të evitohen krizat institucionale e kushtetuese dhe të kemi institucione të cilat reflektojnë vullnetin e qartë qytetar. Moszvarritja e procesit të certifikimit të rezultateve është tejet me rëndësi, theksoi ajo, në mënyrë që sa më parë të kemi institucione funksionale që urgjentisht merren me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
“Përderisa Palmer u dakordua me Osmanin që institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, ringritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, ai njëkohësisht theksoi rëndësinë e angazhimit aktiv në dialog, ngaqë kjo, sipas tij, do të dëshmojë përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon”, thuhet në njoftim.
“Sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, u.d. Presidentja tha se në Kosovë është mirëpritur jashtëzakonisht shumë qasja e qartë e Presidentit Biden se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke, ndërkaq shtoi se institucionet e Kosovës duhet të flasin me një zë, e në këtë kontekst përmendi rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën e me shoqërinë civile si dhe koordinimin e vazhdueshëm me aleatët tanë”.
Ndërsa Palmer konfirmoi që në procesin e Dialogut, SHBA-të do të jenë të përfshira si partner dhe duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian, gjersa theksoi që SHBA-të mbeten aleat i përhershëm i popullit të Kosovës. /Insajderi.com