Palmer: SHBA mbështetë dialogun që përfundon me njohje reciproke, palët t’i identifikojnë kompromiset

Palmer: SHBA mbështetë dialogun që përfundon me njohje reciproke, palët t’i identifikojnë kompromiset

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, është deklaruar rreth vizitës së tij dy-ditore në Kosovë, për çka tha se SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun midis Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje përfundimtare që përfshinë njohjen reciproke.

Këtë qëndrim Palmer e dha në një konferencë për media të mbajtur sot në Prishitnë bashkë me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ku shtoi se po pret me padurim që bashkë me Lajçak dhe ekipin e tij të punojnë në zgjidhjen e çështjes së dialogut, duke përmendur edhe kontaktet e vazhdueshme me qeveritë në Prishtinë dhe Beograd.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja përfundimtare e të cilëve duhet të përfundojë me njohje reciproke. Bashkimi Evropian duhet të nis rrugëtimin për anëtarësim si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. SHBA-ja nuk është palë në procesin e dialogut, por jemi partner. Është vizioni ynë për të ardhmen e këtij rajoni. Pres me padurim të punojmë bashkë me Lajçak dhe ekipin e tij dhe të vazhdojmë kontaktet e afërta me qeveritë edhe në Prishtinë edhe në Beograd”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij në këtë adresim për media, Palmer tha se palët duhet t’i identifikojnë kompromiset të cilat do të jenë të domosdoshme në mënyrë që të ecin përpara në këtë proces.

“Palët duhet t’i adresojnë sfidat, t’i identifikojnë kompromiset që do të jenë të domosdoshme dhe të ecin përpara në lehtësimin e z.Lajçak dhe ekipit të tij dhe me mbështetjen e SHBA-ve”.

I pyetur nga gazetarët se në çfarë forme duhet të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, Palmer shkurtimisht tha se “forma se si duhet të bëhet Asociacioni është forma e cila dakordohet mes palëve”. /Insajderi.com