fbpx

Pamje të reja nga përleshja e LDK-ës në Podujevë [VIDEO]

Pamje të reja nga përleshja e LDK-ës në Podujevë [VIDEO]

Gjatë të dielës edhe një përleshje ndodhi në njërën nga degët e LDK-ës.

Në nëndegën e tretë në Podujevë, ende pa filluar mirë procesi i votimit, kishte pasur një përleshje mes anëtarëve të kësaj partie.

Periskopi ka siguruar një video ku shihet se anëtarët kanë pasur përplasje dhe sipas burimeve shumë nga të pranishmit kanë dalur nga shkolla “Ibrahim Rugova”, ku edhe planifikohej të mbaheshin këto zgjedhje.

Vet kryetari i Komunës, Agim Veliu i cili është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kishte mohuar këtë përleshje përmes një shkrimi në facebook.

Madje, Veliu kishte akuzuar edhe mediet për propagandë, pasi sipas tij në këtë video nuk paraqitet dhunë.

“Tendencë e tillë u pa edhe sot nga medie të caktuara, të cilat provuan të manipulojnë opinionin lidhur me procesin e rregullt zgjedhor të një kuvendi të një nëndege në qytet. U propagandua se ka pasur incident e dhunë edhe pse fotografitë e video incizimet e publikuara nga vetë këto media qartë i demantojnë pretendimet e tyre”, shkruan Veliu.

Më poshtë lexoni reagimin e plotë të Agim Veliut në facebook:

Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Të dashur qytetarë,

Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Podujevë, sot ka përmbyllur me sukses kuvendet zgjedhore në të gjitha nëndegët e saj.

Procesi zgjedhor në degën tonë është karakterizuar me një pjesëmarrje të madhe të anëtarësisë, ashtu siç i ka hije degës më të madhe në Kosovë, e cila përherë ka dalë fituese në të gjitha zgjedhjet.

Masoviteti në pjesëmarrje dhe fuqia elektorale e degës sonë ka bërë që të jetë cak i sulmeve propaganduese me qëllim të lëndimit të procesit dhe dëmtimit të LDK-së në Llap.

Tendencë e tillë u pa edhe sot nga medie të caktuara, të cilat provuan të manipulojnë opinionin lidhur me procesin e rregullt zgjedhor të një kuvendi të një nëndege në qytet. U propagandua se ka pasur incident e dhunë edhe pse fotografitë e video incizimet e publikuara nga vetë këto media qartë i demantojnë pretendimet e tyre.

Kuvendi i Nëndegës III të qytetit të Podujevës është zhvilluar në përputhje të plotë me Statutin dhe Rregulloren për zgjedhje të LDK-së, ndërsa momentet që paraqiten në video janë debate, të cilat në asnjë moment nuk e kanë dëmtuar dhe penguar zhvillimin e procesit zgjedhor, i cili u pērmbyll pa asnjë incident.