PAN thotë se do ta themelojë qeverinë bashkë me AKR-në

PAN thotë se do ta themelojë qeverinë bashkë me AKR-në

Prej të hënës nisin konsultimet e reja për konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë. Pal Lekaj ka thënë se edhe AKR do të jetë pjesë e Qeverisë së re. Edhe zyrtarët e PDK-së kanë paralajmëruar se shpejtë do të ketë rezultate sa i përket formimit të institucioneve.

 

Partia e Ramush Haradinaj po beson se më në fund AKR do të lëviz drejt pjesëmarrjes në qeverinë e re. Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se prej të hënës do të ketë lëvizje të shpejta në drejtim të konstituimit të Parlamentit dhe formimin e Qeverisë së re.

“Prej nesër do të ketë veprime instensive drejt krijimit të institucioneve. Besojmë se edhe AKR do të jetë pjesë e qeverisë dhe konsitutimit të Parlamentit”, ka thënë Lekaj, të dielën, për Express.

Ndërkohë, nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, para dy ditësh, ka thënë se i vetëm po e bllokon hyrjen e AKR’së në Qeverinë me PDK-në, AAK-në e NISMA-n. Në këtë mënyrë ka konfirmuar se edhe Pacolli është pajtuar të jetë pjesë e Qeverisë së udhëhequr prej Ramush Haradinajt.

Në fakt, Pacolli ka bërë disa lëvizje prej se ka hyrë në koalicion parazgjedhor me LDK-në. Fillimisht, kishte folur fjalë të mira për LDK-në dhe Isa Mustafë. Por, pas certifikimit të zgjedhjeve është ankuar se është lënë anash nga LDK-ja dhe nuk ka pasur koordinim për zgjedhjet lokale.

Madje, Pacolli kishte dhënë edhe një ultimatum për LDK-në për të ndërtuar një koalicion me Vetëvendosjen. Pas këtij ultimatumi ka pasur edhe më shumë largim të Albin Kurtit e Isa Mustafa, i cili një ditë i quajti banditë e kriminal zyrtarët e Vetëvendosjes që e kishin sulmuar edhe në shtëpi private sa ishte Kryeministër.

Sidoqoftë, të enjten e ardhshme kalon afati i kërkuar nga PDK, AAK e NISMA, për vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit të Kosovës e ndërprerë me 24 gusht.

Në seancën e fundit ku dështoi votimi për Kryetar të Kuvendit, Enver Hoxhaj kishte kërkuar shtyrjen e seancës për të paktën edhe dy javë. Kishte thënë se iu duhen më së shumti dy javë kohë për të vazhduar konsultimet lidhur me formimin e institucioneve. /Express