Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të mbahet gjatë këtij viti, është shtyrë për në vitiin 2022, si pasojë e situatës së shkaktuar nga Coronavirusi dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen gjatë kësaj vjeshte, transmeton Insajderi.
Kështu është shprehur për REL, drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, i cili thotë se ende nuk është vendosur një datë e saktë.
“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti, regjistrimi optimal do të ishte në muajin prill 2022, por ende nuk është vendosur data e saktë”, thotë Kastrati.
Shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e vlerëson vendim të gabuar Ibrahim Ramadani, profesor në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës.
Ai thotë se me vetë faktin se në kohë pandemie po lejohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, regjistrimi i popullsisë nuk mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
“Vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, si mund të ndahen mjete për komuna pasi numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit qeveritar në nivel lokal. Një shkollë për të ndërtuar nuk mundesh pa e ditur potencialin demografikë”, thotë ai.
Mundësinë e përfshirjes në procesin e regjistrimit të banorëve në komunat serbe, nuk e mohon dhe as pohon Adriana Hoxhiq, nënkryetare e Mitrovicës së Veriut. Ajo në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se procesi i regjistrimit është çështje politike.
“Sa i përket regjistrimit të popullsisë, ky është proces politik dhe nuk varet nga komuna, duhet të merret një vendim nga niveli i lartë, pa precizuar se kush e përbënë nivelin e lartë. Siç merret vendimi në nivelin e lartë, ashtu do të bëhet zbatimi në nivelin lokal”, thotë Hoxhiq. /Insajderi.com