Pas përkeqësimi të gjendjes me pandeminë e Covid 19, sërish është ulur niveli i pagesës së faturave të ujit dhe mbeturinave nga ana e qytetarëve të Tetovës në Maqedoninë e Veriut.
Kjo situatë më shumë vërehet gjatë dy muajve të kaluar, shkruan korrespodenti i Gazetës Online Insajderi në Maqedoninë e Veriut, Urim Hasipi.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova, thonë se dukshëm ka rënë niveli i pagesës së faturave të ujit dhe të mbeturinave sidomos në muajit shtator dhe tetor.
“Kohëve të fundit kemi një rënie drastike të pagesave të faturave të ujit dhe të mbeturinave nga ana e qytetarëve të Tetovës. Rënia e pagesës i dedikohet rritjes së shifrave të të infektuarve me Covid 19 dhe si duket kjo situatë ka frikësuar dukshëm qytetarët të cilët hezitojnë këta dy muaj që të bëjnë pagesa”, deklaroi Xhelal Ceka, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë.
Në ndërkohë, situata me pagesat ishte përmirësuar gjatë muajve të verës, kur qytetarët filluan të paguajnë më rregull faturat.
“Gjatë muajve të verës kur kishim më pak të infektuar me Covid 19, kishim më pak masa restriktive dhe qytetarët ishin më të lirë për të lëvizur në qytet dhe njëkohësisht kishim një rritje të pagesës së faturave për ujë dhe mbeturina. Rritja nuk ka qenë e madhe por megjithatë vërehej një tendencë se qytetarët janë të përkushtuar që të paguajnë këta fatura”, pohon Ceka.
Situata me mos pagesën e faturave të ujit në masë të madhe u shfaq gjatë muajve mars dhe prill kur edhe qyteti i Tetovës ishte në orë policore dhe kjo bëri që të mos paguhen faturat ndaj ndërmarrjes.
Kreu i kësaj ndërmarrje ka sqaruar se qytetarët kanë shumë mundësi për të paguar, sidomos pagesën online dhe nëpër sportelet e vet ndërmarrjes me qëllim që të mos dëmtohen punëtorët, respektivisht mos rrezikohen rrogat e tyre.
”Pikërisht nga pagesa e faturave varen edhe rrogat e rreth 400 të punësuarve në ndërmarrjen tonë. Në rast se vazhdon ky trend atëherë me siguri se do të rrezikohen rrogat e punëtorëve të cilët përkujdesen për pastërtinë në qytet dhe për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit. Pra, ata punëtorë punojnë në çdo kohë dhe janë të angazhuar vetëm e vetëm që qytetarëve t`u shërbejnë në mënyrën më të mirë, prandaj duhet që edhe faturat të paguhen në rregull dhe në kohë” thekson drejtori Ceka.
Nga ana tjetër, gjatë një deklarimi të mëhershëm të drejtorit Ceka, është potencuar edhe fakti që kësaj ndërmarrje qytetarët e Tetovës i kanë borxh rreth 10 milion euro.
“Qytetarët e Tetovës kësaj ndërmarrje i kanë borxh diku rreth 10 milion euro dhe kjo është vlerë e madhe, pra ne nuk kemi mekanizëm tjetër ndëshkues që mos marrim mbeturinat apo mos i furnizojmë me ujë, pra e vetmja rrugë është që të lëshohen vërejtje me shkrim. Ne kemi bërë shumë thirrje që qytetarët të paguajnë borxhet, sepse nëse ne duam qytet të pastër, duam ujë, duam larje dhe fshirje të rrugëve si dhe rrogë për 400 të punësuarit duhet të sigurojmë të hyra. Mendoj se qytetarët kanë mundësi të bëjnë pagesën, sepse një faturë simbolike prej 600 apo 700 denarëve nuk është edhe shumë në krahasim me shërbimin që marrin”, ka deklaruar Ceka.