Në situata emergjente, trajtohen veç urgjencat

Pandemia paralizon punën e disa Gjykatave Themelore në Kosovë

COVID-19 nuk ka prekur vetëm shëndetin e njerëzve, por edhe atë të shtetit. Izolimi i të infektuarve, nënkupton izolim potencial edhe të punëtorëve nëpër institucione të ndryshme. Kjo ka bërë që të paralizohet puna, ose të zvogëlohet volumi i saj edhe në institucionet gjyqësore në Kosovë. Në disa Gjykata tashmë ka të infektuar, në disa të tjera ka frikë nga infektimi.

Pandemia paralizon punën e disa Gjykatave Themelore në Kosovë

Përhapja e vazhdueshme e pandemisë Covid-19 në Kosovë, ka prekur edhe institucionet shtetërore, shumë prej të cilave kanë marrë masa preventive për të parandaluar shtimin e numrit të rasteve pozitive, ku, pos tjerash, është edhe puna me kapacitete të kufizuara.

Ndër këto institucione janë edhe Gjykatat Themelore nëpër komunat e Kosovës, prej të cilave ka edhe gjykatës e punëtorë të tjerë të cilët nuk kanë arritur t’i shpëtojnë infektimit nga ky virus.

Siç bëhet e ditur, në disa nga këto gjykata ka punëtorë të cilët janë prekur me Covid-19, ndër ta edhe gjyqtarë.

Mirëpo, sa rrezikon kjo përhapje e Coronavirusit në këto institucione, mbajtjen e proceseve gjyqësore?

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi.com, kanë njoftuar se shtatë gjyqtarë dhe dy zyrtarë nga stafi administrativ janë prekur me virusin Corona.

Tutje thuhet se si pasojë e gjendjes së krijuar, Trupat Menaxhuese të kësaj Gjykate kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht mbajtjen e seancave gjyqësore, përveç në rastet urgjente, si lëndët për liberalizim të vizave, rastet e dhunës në familje e lëndët për paraburgim.

“Ju njoftojmë se edhe Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka mundur të qëndrojë imun nga virusi COVID-19, deri më tani nga kjo gjykatë të konfirmuar me Covid-19 janë shtatë gjyqtarë dhe dy zyrtarë nga stafi administrativ. Gjendja shëndetësore e tyre është me simptome, por stabile, që të gjithë gjenden në vetizolim shtëpiak. Trupa Menaxhuese e kësaj Gjykate bazuar në gjendjen e krijuar, vendosi të pezullojë përkohësisht mbajtjen e seancave gjyqësore në këtë Gjykatë, përveç në rastet e natyrës urgjente ku ka të bëjë me lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, rastet e dhunës në familje, lëndët me paraburgim, caktimi i masave të sigurisë si dhe lëndët ku rrezikohet procedimi i tyre nga fillimi për shkak se mund të kalojnë tre muaj nga seanca e fundit e mbajtur”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Nga ana tjetër, disa gjykata edhe pse nuk kanë pasur raste pozitive me Covid-19 brenda institucioneve, kanë marrë vendime të ndryshme sa i përket funksionimit të Gjykatës.

Kështu, Gjykata Themelore në Gjilan, bazuar në këshillat e IKSHPK-së dhe Planit Emergjent për Menaxhim të Krizave të miratuara në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kanë vendosur që të reduktojnë stafin dhe të mbajnë vetëm seancat e natyrës urgjente, kurse lëndët do të shtyhen deri në krijimin e kushteve për punë.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë të prekur me Covid-19 në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndërsa sa i përket funksionimit të Gjykatës, ne kemi marrë vendim të reduktojmë stafin, duke ju përmbajtur këshillave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Planit Emergjent për Menaxhim të Krizave të miratuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kemi vendosur që të punojmë me staf të reduktuar dhe seancat mbahen vetëm ato të natyrës urgjente, siç janë paraburgimet, urdhër mbrojtjet, masat e përkohshme – siguruese. Anulimi i seancave ka ardhur, pasi që disa prokurorë janë prekur nga Covid-19 dhe mbajtja e seancave ka qenë e pamundur. Lëndët do të shtyhen, deri në krijimin e kushteve për punë. Gjithashtu, ju njoftoj që në secilin departament të Gjykatës Themelore të Gjilanit vazhdojnë të punojnë referentët dhe lëshohen certifikatat për qytetarët të cilët aplikojnë”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykatë.

Ndërkaq, nga Gjykata Themelore në Gjakovë njoftojnë se ka pasur një gjyqtar, i cili ka rezultuar pozitiv me Covid-19, e që tashmë është shëruar dhe së shpejti pritet të fillojë edhe punën.

“Lidhur me kërkesën tuaj në atë se nëse ka gjyqtarë apo punëtorë të tjerë të gjykatës të infektuar me Covid-19, ju njoftoj se në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka qenë i infektuar një gjyqtar i cili tashmë është shëruar dhe së shpejti pritet të fillojë punën. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë punonjës tjetër të gjykatës të infektuar”, kanë thënë nga kjo gjykatë në një përgjigje me shkrim për Insajderi.com.

Përveç organeve të drejtësisë, që nga shfaqja e tij në vendin tonë, Covid-19 ka arritur të prekë edhe institucione të tjera shtetërore si Kuvendin e Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Postën e Kosovës, KEK, KEDS, KOSTT dhe shumë kompani dhe biznese të tjera. /Insajderi.com/