Viti 2020 do të kujtohet për ndryshimet e mëdha që ka shkaktuar pandemia COVID-19, jo vetëm në sistemin shëndetësor, por në shumë segmente tjera të jetës.
Pandemia e ka ndryshuar jetën; atë materiale e emocionale dhe ka ndikuar në ndryshimet shoqërore.
Kështu i tha Gazetës Online Insajderi, sociologu, Labinot Kunushevci.
“Pandemia COVID-19 ka ndikuar në ndryshimet shoqërore duke rikthyer vetëdijen në shëndetin publik dhe besimin në rolin dhe autoritetin e mjekut si ekspert dhe mjekësisë si ekspertizë”, tha ai.
Ndryshimet shoqërore, sociologu i ndërlidhi edhe me fuqizimin e komunikimit teknologjik si dhe me rritjen e kujdesit për ushqim, higjenë etj.
“Ka ndërruar mënyrën e komunikimit; ka avancuar përdorimin e teknologjisë digjitale duke futur në përdorim platformat elektronike si Zoom etj. Por, ka shtuar edhe kujdesin publik mbi mënyrën e të ushqyerit dhe mbajtjen e higjienës”, tha ai.
Efekte pandemike janë cilësuar negatve, por mund të ketë edhe ndikime pozitive, varet nga këndvështrimi i secilit.
Kunushevci, përmendi rritjen e dhunës në familje si dhe stresin e shkaktuar nga qëndrimi në shtëpi e nga rëndimi i situatës ekonomike.
“Ka rritur edhe pasigurinë brenda shoqërisë. Ka rikthyer qëndrimin në shtëpi, izolimin, si një formë që disa e kanë mirëpërdorur duke e shtuar solidaritetin familjar, ndërsa disa tjerë, nën ndikimin edhe të disa faktorëve tjerë, e kanë keqpërdorur duke ushtruar dhunë familjare. Kjo situatë pandemike ka rritur nivelet e stresit dhe depresionit, me pasoja psiqike emocionale dhe shoqërore”.
Pretendimin se gjatë pandemisë stresi ka qenë një ndër faktorët e rritjes së dhunës në familje e beson edhe profesori i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fitim Uka.
Këtë fenomen të rritur duke u bazuar në raportet e Policisë së Kosovës dhe apelet e këtij institucioni për raportm të rasteve gjatë pandemisë, profesori universitar e trajtoi në kuadër të kujdesit ndaj shëndetit mendor.
“Është prekur edhe komponenta e shëndetit social dhe në shumë raste, ka pasur konflikte brenda familjeve, por edhe vrasje, që kanë qenë të ndikuara nga shëndeti i dobët mendor”.
Por, këto pasoja me gjasë nuk do të jenë afatshkurtëra. Uka tha se pandemia ka shkaktuar trauma që lë pasoja afatgjate.
“Pasojat e COVID mund të jenë afatgjate në këtë drejtim. Marrë parasysh faktin që kjo është një ngjarje traumatike, ka të ngjarë që njerëzit do të përjetojnë edhe çrregullimin e stresit postraumatik në të ardhmen”, tha Uka. /Insajderi.com