Pandeminë (s’)e menaxhoi qeveria

Pandeminë (s’)e menaxhoi qeveria

Qeveria dhe opozita në tërësi mendojnë ndryshe për sa i përket menaxhimit të pandemisë në 100 ditët e para të Qeverisë “Kurti 2”.

Përderisa nga pushteti thonë se për uljen e rasteve me COVID-19 “meritore është Qeveria”, opozita beson se zero ndikim ka pasur ekzekutivi në stabilitetin epidemiologjik.

Labinotë Demi-Murtezi, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje – pjesë e Komisionit për Shëndetësi, thotë për Gazetën Online Insajderi se zvogëlimi i numrit të infeksioneve me COVID-19 ka ardhur edhe si rezultat i masave të aprovuara nga ekzekutivi për mbyllje dymbëdhjetë ditore.

Përpos kësaj, Demi-Murtezi, përmendi “fokusin e qeverisë” për të siguruar marrëveshje me kompaninë “Pfizer” rreth vaksinave..

“Fokusi i qeverise Kurti 2 në menaxhimin e pandemisë COVID-19 ka qenë marrja me seriozitetin me te lartë te mundshëm të realizimit të kontratës me Pfizer”.

Thekson se tashmë kanë arritur dy kontingjente vaksinash me mbi 188 mijë doza anti-COVID.

“Ne po dëshmojmë se do t’ia arrijmë qëllimit të vaksinimit të minimum 60 për qind të popullatës deri ne fund te vitit”, pohoi deputetja.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi

Më 30 qershor – ditën kur Qeveria e Albin Kurtit rrumbullakosi 100 ditët e para të punës, aty në mbledhje kishte krenari për mënyrën sesi e kanë menaxhuar pandeminë.

Kryeministri i Kosovës, iu referua shifrave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për të argumentuar pretendimin se “e kanë menaxhuar mirë pandeminë”.

“Kur morëm mandatin kishim 781 raste me infektime të reja dhe 107 vdekje, kurse sot kemi 9 raste të reja dhe asnjë vdekje. Fatkeqësisht nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre , sot kemi 2 milionë vaksina të siguruar ku afro 400 mijë sosh kanë arritur dhe mbi 200 mijë doza ta administruara”, është shprehur Kurti të mërkurën.

Opozita nuk pajtohet – “Keni dështuar”.

Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

Gjithçka çfarë thotë Albin Kurti e Labinotë Demi-Murtezi, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu – mendon krejtësisht ndryshe.

Në një përgjigje për Insajderin, anëtari i Komisionit për Shëndetësi, thotë se dështimin e menaxhimit të pandemisë “Qeveria po e mbulon duke e mbajtur kontratën me Pfizer si sekrete”.

“E kanë klasifikuar kontratën me Pfizer si dokument sekret për të mbuluar dështimin. Vendet e tjera të rajonit kanë publikuar kontratat për të treguar se kur vinë kontingjentet e vaksinave”.

Përpos kësaj, Haxhiu pohon se ulja e infeksioneve nuk është rezultat i punës së Qeverisë.

“Në të gjitha vendet e rajonit kemi situatën e njëjtë, kjo s’ka lidhje me ekzekutivin”.

Madje, beson se “Qeveria po mashtron”, duke i futur të gjitha llojet e testimeve në statistikat e përditshme.

“Edhe vaksinimi që bëhet për qëllime joshëndetësore si udhëtimet përfshihen në numrin e plotë të testimeve për të mbuluar numrin e testeve”.

Më 18 prill, deputeti opozitar ishte takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, për t’i dhënë disa kontakte për sigurimin e vaksinave. Më vonë kishte thënë se “Ministria as nuk iu ka dërguar email asnjë kontakti që ai i kishte ofruar”.

 

Infeksionet me COVID-19 në 100 ditëshin e Qeverisë Kurti

Ambulanca për COVID-19

Pak orë para se të votohej Qeveria Kurti nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kishte publikuar raportin ditor të situatës me pandeminë.

Ishin 16 raste të vdekjes, 828 infeksione të reja dhe 518 të shëruar.

Totali i vdekjeve ishte 1.776, rastet e përgjithshme ishin 83.012, ndërsa i të shëruarve 68.601.

Tash, për 100 ditë numri i vdekjeve ka shkuar në 2 mijë 258, i infeksioneve 107.758, ndërsa i të shëruarve 105.333

Më 30 qershor, nuk është raportuar ndonjë i vdekur. Por, ishin 9 raste pozitive e 8 të shëruar.

Po ashtu, rastet aktive atëherë ishin 12.635, ndërsa tash 167 sosh.

Këto statistika Qeveria i merr si mostër për të dëshmuar “menaxhimin e mirë të pandemisë”.

Ndërkaq opozita nuk sheh influencuese Qeverinë në këtë përmirësim, duke u bazuar te statistikat e vendeve të rajonit – ku edhe aty ka ulje të infeksioneve.

 

Një pjesë e madhe e popullsisë veç e ka kaluar Coronavirusin

Ilir Tolaj, infektolog

Infektologu, Ilir Tolaj, ka thënë se një pjesë e madhe e popullsisë e ka kaluar COVID-19 në mënyrë asimptomatike apo me simptome.

“Kjo ka lenë pas vetes një shkallë të caktuar të imunitetit individual i cili tashmë është shndërruar në një imunitet kolektiv relativisht të kënaqshme. Është kjo shkallë e imunitetit kolektiv te krijuar e cila e ka stabilizuar situatën rreth pandemisë ne Kosove”, tha ai për Insajderi.

Beson se masat janë respektuar vetëm sipërfaqësisht në Kosovë.

“Ato kanë pasur ndikim minor”, shton ai.

 

Rreziku nga varianti delta.

Në Kosovë janë paraqitur dy raste te variantit Indian ‘delta’.

Infektotlogu Tolaj, thotë se ky variant pre i ka ata që nuk e kanë kaluar COVID-19 apo nuk janë vaksinuar ende.

“Varianti delta shpërndahet më lehtë  se variantet e mëhershme”, alarmon ai.

Për këtë, Tolaj thekson se institucionet duhet të shfrytëzojnë situatën e volitshme epidemiologjikë për të vaksinuar sa më shumë njerëz.

Kjo është forma e vetme, sipas tij me të cilën mund të shmanget rreziku nga variantet e reja të COVID-19.

Vaksinimi

Qendra e vaksinimit kundër COVID-19

Kosova fillimisht kishte marrë 24 mijë doza vaksinash nga program COVAX.

Ishin segmentuar kategoritë e rrezikshme si personat mbi moshën 85 vjeçare, ata me sëmundje kronike si dhe stafi shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë ka arritur marrëveshje me kompaninë “Pfizer”, për sigurimin e mbi 1 milionë e 200 mijë vaksinash deri në fund të këtij viti.

Për deri atëherë, Albin Kurti, kishte premtuar vaksinimin e 60 për qind të popullsisë.

Tash, Ministria e Shëndetësisë po raporton çdo ditë për numrin e atyre që marrin goditjen.

Të mërkurën u vaksinuan mbi 7 mijë qytetarë.

Deri më tash 41.573 veç e kanë vendosur anti-virusin e COVID-19  në trup,  ndërsa 179.029 kanë marrë dozën e parë. /Insajderi.com