Pantina: Dallimet me LDK-në nuk janë aq të mëdha

Pantina: Dallimet me LDK-në nuk janë aq të mëdha

Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka ftuar LDK-në si dhe deputetë nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) që t’u bashkohen atyre për formimin e Qeverisë që do ta dërgonte PDK-në në opozitë pas plot 17 vitesh.

Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, për të cilën mediat raportuan se ka fituar votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete sërish, ka thënë se janë disa çështje për të cilat LDK dhe VV kanë pajtueshmëri, mirëpo për të arritur deri te harmonizimi i plotë i programeve partiake duhet të krijohet një grup ekspertësh nga dy partitë.

Ish-deputetja Pantina u shpreh se ndryshimi mund të sigurohet vetëm me shkuarjen e PDK-së përfundimisht në opozitë.

“Lëvizja Vetëvendosje u radhit partia e parë politike në vend ashtu si edhe kandidati për kryeministër Albin Kurti. Ne i kemi bërë thirrje koalicionit LAA që udhëhiqet nga LDK që të ulemi dhe të bisedojmë  me kushtin e vetëm që të përmbushim vullnetin e qytetarëve për të mundësuar ndryshimin që ata po e kërkojnë dhe për ta dërguar PDK në opozitë”, u shpreh Pantina.

Ajo ka thënë se dallimet mes dy partive respektive nuk janë aq të mëdha.

“Gjatë fushatës ne kemi paraqitur 40 prioritetet e programit tonë qeverisës i cili natyrisht është shumë më i gjerë se kaq. Ka disa çështje për të cilat ne tashmë kemi qasje të njëjtë me LDK, por natyrisht se ka edhe çështje për të cilat kemi dallime.  Mendoj se duhet të formohet një ekip ekspertësh  që përbëhet nga të dy subjektet LV dhe LAA për të përcaktuar prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe për të harmonizuar programet tona. Mendoj se kjo është e arritshme pasi dallimet nuk janë tepër të mëdha”, ka thënë ajo, duke shtuar se në fund është institucioni i Kuvendit ai që me votë do të vendosë për këtë.

Duke kujtuar pikëpamjet krejtësisht të kundërta që LDK dhe Vetëvendosje kanë për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, Pantina thotë se Kuvendi do të vendosë edhe për këtë.

“Ne fund do jetë Kuvendi ai qe me votë do e miratoj një program të tillë dhe edhe aty mund te ketë hapësirë për plotësim nga deputetët ashtu siç do vendosë edhe për shumë çështje tjera që kanë mbetur pa u zgjidhur nga qeveria e kaluar”, ka thënë ajo për Gazetën Metro.

Gjatë ditës së djeshme, gatishmërinë për të biseduar me Vetëvendosjen, për Gazeta Metro e ka shprehur nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.

Nisur nga lista jozyrtare e 32 deputetëve të siguruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Pantina ka arritur ta sigurojë edhe një mandat të deputetes në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës.