fbpx

Papa nderon “martirët e komunizmit” në Shqipëri si “besnikë të Krishtit”

Papa nderon “martirët e komunizmit” në Shqipëri si “besnikë të Krishtit”

Papa Françesku ka kryer homazhe në nder të 38 martirëve shqiptarë që u lumturuan dje në Shkodër. “Dy peshkopë, shumë priftërinj dhe besimtarë, një seminarist dhe disa laikë, viktima të persekutimit të  ashpër të regjimit ateist që dominoi për një kohë të gjatë në atë vend gjatë shekullit të kaluar,” është shprehur Papa Françesku.

“Ata kanë preferuar të vuajnë në burg, torturat dhe në fund vdekjen, në mënyrë që të mbeten besnikë ndaj Krishtit dhe Kishës. Shembulli i tyre na ndihmon të gjejmë tek zoti forcën në kohën e fatkeqësive dhe që inspiron mirësinë, faljen dhe paqen,” ka thënë Ati i Shenjtë.

Ceremonia e lumnimit të 38 martirëve e mbajtur dje në Katedralen e Shën Stefanit në Shkodër, u ndoq  në cilësinë e përfaqësuesit të Atit të Shenjtë nga prefekti i Kongregatës së Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe, don Ernest Simoni, ish-prifti i internuar në kampet e burgjeve shqiptare për 28 vite me radhë, të cilin Papa Françesku e konsideron si “martir” edhe pse është ende gjallë.

Bergoglio i prekur e përqafoi don Ernest Simonin më 21 shtator 2014 gjatë vizitës së tij në Tiranë, pasi dëgjoi historinë e tij të persekutimit përgjatë 11 mijë ditëve me tortura dhe punë të detyruar.

“Dokumentet historike-tha Monsinjor Marcello Semeraro, anëtar i dikasterit të Vatikanit, tregojnë me qartësi se 20 prej tyre u vranë dhe trupat e tyre u lanë të pavarrosur dhe 18 të tjerët vdiqën për shkak të torturave të forta dhe persekutimit.”

Të gjithë martirët kanë treguar forcën e jashtëzakonshme të mendjes në torturat e papërshkrueshme me rrymë elektrike, kripë në gojë apo koka në ujë të akullt për ditë me radhë.

Dhe në fund asnjë prej tyre nuk pranoi të shkëputej nga Selia e Shenjtë për t’i shpëtuar torturave./VOA