Papërgjegjësia e Rashit Qalajt për të suspenduar policët me probleme psikike shkaktoi tragjedinë në Gjilan

Njomza Salihi

Papërgjegjësia e Rashit Qalajt për të suspenduar policët me probleme psikike shkaktoi tragjedinë në Gjilan

 

Valdetja, ish-police e Kosovës, dyshohet se ka vrarë nënën, babain, dy vëllezërit, dhe më pas edhe veten. E njëjta është konfirmuar se kishte probleme psikike. Ajo vazhdonte punën aktivisht siç tani bëjnë edhe disa nga kolegët e saj me problemin e njëjtë. Inspektorati Policor i kishte rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë se këta pjesëtarë duhet të suspendoheshin për shkak se ishin të pajisur me armë zjarri dhe mund të paraqesin rrezik. Papërgjegjësia e Rashit Qalajt për të suspenduar policët me probleme psikike shkaktoi tragjedinë në Gjilan, ku u shua një familje.

 

Një ngjarje fort e rëndë ka tronditur Gjilanin dhe krejt Kosovën, pasditen e së martës.

Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri, ndërkaq me të arritur në vendngjarje, kanë kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të katërfishtë dhe vetëvrasje.

Trupat e pajetë u gjetën në familjen me mbiemrin Bllaca, shkruan Insajderi.

Arma e zjarrit u gjet në dorën e Valdete Bllacës, ish-polices së Kosovës e cila sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka vrarë nënën Hanifen, babain Zeqirin, dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun, e më pas edhe veten.

Vrasjet u kryen me armën zyrtare të polices. Policia në Gjilan e ka konfirmuar për Insajderin se ish-pjesëtarja e tyre kishte probleme psikike, por se e njëjta nuk ishte suspenduar dhe vazhdonte te ishte aktive në punë.

Ndonëse eprorët e saj ishin të njoftuar me rastin, të njëjtit nuk ishin alarmuar – duke mos marrë kështu asnjë masë, pos degradimit të saj. E njëjta fillimisht kishte punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh ishte transferuar në Gjilan, shkruan Insajderi.

Ky moment tragjik dëshmon për papërgjegjësinë totale të Policisë së Kosovës, institucion ky që drejtohet nga Rashit Qalaj, për t’u marrë edhe me policët tjerë që kanë probleme psikike.

Problem për të cilin më 2018-në ishte alarmuar ky institucion i sigurisë.

Inspektorati policor kishte identifikuar 94 policë me probleme të tilla dhe kishte rekomanduar Policinë që të njëjtit të suspendoheshin, shkruan Insajderi.

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke iu referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psikike”, thuhej në përgjigjen e IPK-së.

Në rekomandimin e saj, IPK paralajmëroi Policinë e Kosovës për rrezikun që mund të paraqesin këta pjesëtarë, sidomos duke pasur parasysh se të njëjtit janë të pajisur me armë zjarri.

Pavarësisht alarmit, Drejtoria e Përgjithshme e PK-së kishe refuzuar ta bëjë një gjë të tillë – Policët me probleme të shëndetit mendor vazhdojnë të dalin çdo ditë në punë.

As ata, dhe as policët tjerë nuk bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore, shkruan Insajderi.

94 policët e identifikuar nga IPK-ja janë ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe e kanë të njohur statusin e invalidit të luftës. Në Polici të Kosovës janë gjithsej 148 pjesëtarë të cilët janë invalidë të luftës.

Dokumentacioni në të cilin është bazuar IPK-ja për të nxjerrë rekomandimin ndaj tyre janë vërtetimet që këta pjesëtarë të Policisë kanë dërguar në institucionet kosovare për të fituar statusin e invalidit të luftës, gjatë procesit për identifikimin e veteranëve të UÇK-së.

Procesi i tyre dëshmon se si Drejtoria e Përgjithshme shpërfill edhe rastet tjera me probleme psikike të paraqitura brenda institucionit të Policisë./Insajderi.com