(Pa)qartësia e përfundimit të mandatit të Speciales – dhe adresimi i (pa)qartë i Presidentit

Një paraqitje e befasishme e Presidentit të Kosovës në Facebook ku lajmëronte se i ka bërë kërkesë Kuvendit që të zgjasë mandati i Gjykatës Speciale derisa t’ia jap një fund Këshilli i Bashkimit Evropian, ka krijuar paqartësi dhe është interpretuar në forma të ndryshme. Derisa Kuvendi është në pushim dhe s’ka njoftuar zyrtarisht se ka pranuar ndonjë kërkesë nga presidenti, nga BE-ja kanë komentuar vetëm tërthorazi, ndërsa njohësit e çështjeve ligjore e kanë parë si të patrajtueshme kërkesën e kreut të Presidencës drejtuar Parlamentit.

(Pa)qartësia e përfundimit të mandatit të Speciales – dhe adresimi i (pa)qartë i Presidentit

Hashim Thaçi, i cili është përballur me një propozim aktakuzë nga Gjykata Speciale në Hagë, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin atë në lidhje me nismën e tij për sa i përket zgjatjes së mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, njofton Insajderi.

Me anë të një video-mesazhi, presidenti Thaçi ka thënë se kërkesa e tij për të zgjedhurit e popullit është që mandati i këtyre dy dikastereve të Gjykatës Speciale të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Kosovës.

Kur i kam kërkuar Kuvendit që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Kosovës. Kam bindjen se deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin dhe rritë përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi, derisa ka kërkuar qartësi rreth asaj se si i përfundon mandati kësaj Gjykate.

Mirëpo, iniciativa e marrë nga Thaçi për këtë institucion të themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës, e që i pari i vendit thotë se janë gjykata e pestë me radhë për pretendime të njëjta “një rekord i llojit të vet në botë”, sipas njohësve të çështjeve juridike bie në kundërshtim me vetë amendamentin kushtetues për themelimin e kësaj Gjykate, Ligjin mbi Dhomat e Specializuara, Marrëveshjen Ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Holandës dhe letërkëmbimeve që Zyra e Presidentit të Kosovës ka bërë me Përfaqësuesit e Lartë të Bashkimit Evropian.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se Amendamenti Kushtetues dhe dokumentet tjera që lidhen me themelimin dhe funksionalizimin e kësaj gjykate, kanë përcaktuar se mandati i Gjykatës Speciale do të vazhdojë deri në momentin kur Këshilli i Bashkimit Evropian nuk do të njoftojë Kuvendin dhe Qeverinë se Gjykata Speciale ka përfunduar të gjitha rastet që ka në punë dhe me këtë ka përmbyllur mandatin e saj.

“Në këtë drejtim, unë nuk shoh hapësirë dhe mundësi që Kuvendi i Kosovës të procedojë apo të fillojë me amendamentimin Kushtetues lidhur me vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale”, ka thënë tutje ai.

Sipas Miftarajt, nëse kjo nismë e Presidentit Thaçi do të trajtohet nga Kuvendi i Kosovës, nënkupton që ky institucion duhet të fillojë me procedurat e amendamentimit të Kushtetutës lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale, “dhe me këtë do të nënkuptohej që Specialja të ndalonte çdo veprim të saj në kohën kur mbushen pesë vjet të funksionalizimit të saj deri në miratimin e amendamentit kushtetues nga Kuvendi i Kosovës”.

Të pyetur nga redaksia nëse Kuvendi do të procedojë në lidhje me kërkesën publike të Thaçit për amendamentimin Kushtetues sa i përket mandatit të Gjykatës Speciale, nga ky organizëm thonë se sapo të fillojë sesioni vjeshtor, do të trajtohen kërkesat e adresuara.

“Në përputhje me nenin 69 të Kushtetutës së Kosovës, sesioni vjeshtor i Kuvendit fillon të hënën e dytë të shtatorit. Pra kuvendi dhe trupat e tij do të mblidhen, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, ndaj sapo të fillojë sesioni vjeshtor do të trajtohen kërkesat që i janë adresuar”, ka thënë për Insajderi-n, Bekim Kupina, këshilltar për Media i Kryetares së Kuvendit.

Derisa kreu i shtetit të Kosovës tha se heshtja ndërkombëtare po kuptohet si aprovim i amnistisë së gjenocidit të shtetit të Serbisë kundrejt qytetarëve të Kosovës, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë se presin nga autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë të përkrahin përkushtimin e tyre ndaj sundimit të ligjit dhe mandatit të Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Ne presim që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë të mbështesin përkushtimin e tyre ndaj sundimit të ligjit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara (KP) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Kjo përfshin respektimin e të gjitha dispozitave në Ligj dhe Kushtetutë, të cilat përcaktojnë qartë mandatin dhe punën e KSC / SPO”, ka thënë për redaksinë Dinka Zivalj, zëdhënëse për komunikim me publikun e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Hashim Thaçi, bashkë me Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe nëntë persona të tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur, kanë pranuar propozim aktakuzë nga Gjykata Speciale.

Ata akuzohen për rreth 100 raste; vrasje, rrahje dhe të tjera.

Vetë Thaçi ishte për katër ditë rresht në Hagë, ku ishte marrë në pyetje. /Insajderi.com