Para qershorit nuk ka negociata për Maqedoninë e Veriut

Para qershorit nuk ka negociata për Maqedoninë e Veriut

Presidenca portugeze e Këshillit Europian kërkon që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mbahet në qershor, po këtë muaj Lisbona zyrtare kërkon përfshirjen e Malit të Zi dhe Serbisë në metodologjinë e re të zgjerimit, njofton Insajderi.

“Presidenca portugeze e konsideron procesin e zgjerimit si çështje të rëndësishme dhe do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj që të dinamizohet dialogu për miratimin e kuardit negociues dhe fillimin formalisht të negociatave,” tha ministri i Jashtëm, Augusto Santos Silva.

Procesi me dy vendet e Ballkanit Perëndimor u bllokua nga mosmarrëveshja midis Shkupit dhe Sofjes për çështjet historike.

Palët janë duke diskutuar përmes kanaleve zyrtare për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet, ndërkohë publikisht Bullgaria po kërkon shpejtimin e fillimit të negociatave me Shqipërinë, për të cilën thotë se i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura.

Nga ana tjetër ekziston një qasje e fortë për të ndarë procesin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë  së Veriut.

Përveç Bullgarisë, vendet e tjera anëtare theksojnë se Maqedonia  e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e meriton të përparojë në rrugën e integrimit europian. /Insajderi.com