Para rinisjes së dialogut, Kurti planifikon të takohet me opozitën

Para rinisjes së dialogut, Kurti planifikon të takohet me opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po planifikon të takohet edhe me partitë e opozitës para se të shkojë në dialog me Serbinë, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Albin Kurti do të bisedojë me opozitën për çështje të interesit kombëtar.

Sipas tij, takimi i Kurtit me opozitën pritet të realizohet gjatë këtij muaji.

”Presim që takimet me opozitën të realizohen gjatë këtij muaji. Duhet të palët të jenë të barabarta në tryezën e dialogut, ku Kosova është palë e dialogut dhe jo temë, siç ka qenë deri tani. Dialogu duhet të jetë në shërbim të dy popujve, jo politikanëve”, citohet të ketë thënë ai për ‘Euronews Albania’.

Kryeministri Kurti ka refuzuar që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 11 maj në Bruksel, datë kjo të cilës e përmendi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Më vonë, Borrell njoftoi se pala kosovare ka kërkuar më shumë kohë që të përgatitet për bisedime, për çka afat ka dhënë deri më datë 22 qershor. /Insajderi.com