Para takimit në Bruksel, Bislimi diskuton me diplomatin gjerman

Para takimit në Bruksel, Bislimi diskuton me diplomatin gjerman

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, para takimit të tij për dialogun Kosovë-Serbe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel, njofton Insajderi.com.

Në këtë takim me Berger, është diskutuar për negociatat Prishtinë-Beograd, për çka sekretari i shtetit në diplomacinë gjermane tha se është e rëndësishme që marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve duhet t’i kthehen normalitetit sa më parë.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Berger shtoi se përparimi në dialog është në interes të të dyja shteteve.

“Ishte kënaqësi ta takoja zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin me të cilin biseduam për dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. E rëndësishme është tani që të dyja palët të qetësojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt. Përparimi në dialog është në interes të të dyja shteteve si Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Berger në Twitter.

Takimi në Bruksel mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serbë vjen pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës që kur u vendos masa e reciprocitetit të targave serbe nga Qeveria e Kosovës.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialogun Kosovë-Serbi

SHBA dhe BE kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhjen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Në këtë raund të takimeve ëstë paralajmëruar të marrë pjesë edhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, i cili po ashtu do të jetë i përfshirë në përpjekjet e përbashkëta me BE-në për të bindur palët që të gjejnë zgjidhje. /Insajderi.com