Paraburgim për nënën nga Ferizaj që keqtrajtoi fëmijët e saj

Paraburgim për nënën nga Ferizaj që keqtrajtoi fëmijët e saj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurës V.K., e cila dyshohet për veprën penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie të gjykatës, e njëjta dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj dy fëmijëve të saj.

Aktualisht fëmijët janë strehuar në një strehimore në Ferizaj.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se pandehura më 08.04.2021 dhe 10.04.2021, ka ushtruar dhunë ndaj dy fëmijëve të vetë (të mitur), për çka të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa aktualisht janë strehuar në një strehimore në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast, gjykata njofton palët se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Insajderi.com