Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për policin nga Gjilani me inicialet R.Sh., i cili dyshohet për sulm seksual ndaj një të miture, njofton Insajderi.
Siç bën të ditur gjykata, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji nëntor 2020 e deri me datë 20.04.2021, është takuar disa herë me të dëmtuarën e mitur, e cila është person me aftësi të kufizuara mendore dhe dyshohet se i pandehuri ka ushtruar sulm seksual ndaj saj.
“Këto rrethana janë konsideruar të mjaftueshme që tregojnë rrezikun potencial se po që se i njëjti lihet në liri ai mund ta përsërisë veprën penale apo të kryejë edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm seksual” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, meqë masat tjera alternative në këtë fazë të procedurës do të ishin të pamjaftueshme. /Insajderi.com