Teksa organizatat për mbrojtjen e komunitetit LGBTI në Kosovë, kanë organizuar për herë të parë, Paradën e Krenarisë në Prishtinë që do të mbahet me 10 tetor, kjo gjë ka futur në siklet kandidatët për kryetar të Prishtinës.
Insajderi ka kontaktuar të gjithë kandidatët për kryetar komune. Disa janë përgjigjur e disa jo.
Por ajo çka është qartë është se kandidatet për kryetar të komunës së Prishtinës nuk kanë vendosur ende se a do të marrin pjesë në Paradën e parë të Krenarisë në Kosovë e cila organizohet nga komuniteti LGBT, dhe përkrahësit e saj.
Ky do të jetë viti i parë që do të mbahet Parada e Krenarisë e cila do të filloj në ora 11:30, dhe do të nis në sheshin Skënderbeu dhe do të përfundoj në sheshin Zahir Pajaziti.
Kryetari i komunës së Prishtinës tha se nuk ka informata për paradën në fjalë, ai tha që do të dal më një deklaratë gjatë ditëve në vijim pasi të informohem.
“Skam marrë kurrfarë informata shtese, s’pe disha sepse jam kanë në fushatë gjithë ditën, besoj që masi koka temë, gjatë ditëve në vijim do të deklarohemi. Por të pres njëherë mire a na kanë ftuar apo çka është puna”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.
Ndersa kandidati i AAK-së për kryetar të komunës, Arbër Vllahiu, tha që është i zënë në fushatën e tij por sugjeroi që kjo pyetje ti bëhet Halil Matoshit, pasi sipas tij prej Matoshit mund të përgjigjet mbi këtë pyetje.
“Të lutem se jam në fushatën tem edhe nëse mundesh me thirre Halil Matoshin, ai mundet me tu përgjegje. Halilin thirre sepse jam në fushatë jam tuj hi në takim”, ka thënë Vllahiu.
Matoshi është zëdhënës i Qeverisë së Kosovës dhe për Insajderin tha se ende nuk dihet nëse kryeministri Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në paradë.
E kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Lirak Çelaj tha të mos jetë i informuar mbi këtë ngjarje dhe se ende nuk ka marrë vendim nëse do të jetë pjesë e paradës apo jo.
“Unë nuk e kam ditë, sinqerisht nuk e dijë. Ende skam marre ndonjë vendim se a do të jem pjesë e kësaj”, ka thënë Çelaj.
Ndërsa Arban Abrashi dhe Selim Pacolli nuk ju përgjigjen thirrjeve të Insajderit për këtë temë.
Pjesë e garës për kryetar të Prishtinës, është edhe partia Fjala. Kreu i kësaj partie përmes Facebook-ut tha se është kundër kësaj parade.
“Unë mendoj që kjo paradë nuk i duhet as popullit tonë dhe as vendit tonë”, tha Kelmendi.
Megjithatë Parada e LGBTI-së duket të jetë një nga temat për të cilën, kandidatët për kryetar të kryeqytetit do të kenë kujdes gjatë prononcimeve publike. Kosova llogaritet si një nga vendet më homofobe në Evropë. /Insajderi.com