Më 10 tetor, LGBTI dhe qytetarë në mbrojtje të të drejtave të këtij komuniteti pritet që të marshojnë në paradën e dytë të krenarisë në Prishtinë të quajtur “Në emër të lirisë”. Parada e sivjetme do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” me fillim nga ora 11:30 deri në orën 14:30.
Aktivisti për të drejtat e LGBTI dhe koordinatori i projektit në “CEL Kosovo”, Lendi Mustafa, ka thënë për Insajderin se këtë vit presin që të ketë më shumë pjesmarrës sesa vitin e kaluar, ku ishin rreth 700 vetë.
“Presim numër më të madh të pjesmarrësve pasi që parada e krenarisë vitin e kaluar ka ndikuar te fuqizimi i personave LGBTI, aktivistëve dhe përkrahësve”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se duke pasur parasysh që shoqëria kosovare ende nuk është e vetëdijsuar në lidhje me personat LGBTI dhe të drejtat e tyre, do të presin reagime të ndryshme kundër paradës, por shtoi se përkrahja ndaj këtij komuniteti po rritet dhe një pjesë e shoqërisë ka filluar të vetëdijësohet.
Duke thënë se sivjet presin që parada të përmbyllet me sukses dhe pa incidente, aktivisti Mustafa ka njoftuar se masat e sigurisë do të jenë në përputhshmëri me kërkesat e komunitetit LGBTI dhe varësisht nga nevoja, policia do të jetë në gatishmëri.
Për paradën e 10 tetorit janë ftuar të gjithë liderët institucional.
“Nga liderët institucional i kemi ftuar të gjithë dhe shpresojmë që të gjithë të jenë pjesë e paradës, ose të paktën ata që kanë qenë pjese vitin e kaluar”, ka njoftuar Lendi Mustafa.
Një vit më parë ishte mbajtur Parada e parë e Krenarisë nën slloganin “Në emër të dashnisë” në të cilën ndër të tjerë, morën pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruarir O’Connell, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova dhe shefi i USAID-it në Kosovë, James Jope.