Paradë ushtarako–policore në Nish: 4.000 pjesëtarë, tanke, MIG-a dhe helikopterë

Demonstrimi i forcës së pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe nën emërtimin “Mbrojtja e lirisë”, ka filluar në orën 11 në Nish me pjesëmarrje të më shumë se 4.000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe me praninë e udhëheqësve shtetëror dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Paradë ushtarako–policore në Nish: 4.000 pjesëtarë, tanke, MIG-a dhe helikopterë

Programi i demonstrimit përfshin defileun e eshalonit të këmbësorisë, defileun e eshalonit të motorizuar, fluturimin e eshalonit ajror dhe desantin e parashutistëve, por edhe paraqitjen e disa qindra auto veturave luftarake si dhe pajisjet e reja të teknikës ushtarake të cilat po futen në armatim.

Është planifikuar se të shfaqen rreth 300 lloje të ndryshme të auto veturave dhe 40 aeroplanë dhe helikopterë.

Do të shfaqen helikopterë luftarakë MI-35, të cilët Serbia i ka porositur nga Rusia si dhe tanket T-72 të cilat Rusia i ka dhuruar Serbisë.

Mbi Nish do të fluturojnë edhe nëntë MIG-29.

Në mes të pajisjeve tjera, do të paraqiten tanket, veturat luftarake të këmbësorisë, autoblindat “Hummer” dhe “Lazar”, sistemet artilerie “Oganj” dhe “Shumadia”, topat “Nora”, sistemet kundër ajrore “Pasars” dhe pajisje tjera.

Siç shkruajnë mediet serbe, parada ushtarake po mbahet me rastin e Ditës së Fitores kundër fashizmit, mirëpo është shumë indikative se kjo paradë mbahet pikërisht në Nish, qytet i afërt me kufirin e Kosovës./Insajderi.com.