
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT, tha se nuk janë fajtorë për reduktimet e energjisë elektrike në Malishevë dhe Ferizaj të paralajmëruara nga KEDS gjatë mbrëmjes së 31 dhjetorit, përcjell Insajderi.com.
KOSTT njoftoi se mbingarkesat e distribuimit nëpër komuna përfshirë Malishevën, nuk janë të ndërlidhura me ta.
“Njoftohen qytetarët e vendit që bazuar në përgatitjet dhe planifikimet e operatorëve përgjegjës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për sigurimin e energjisë së nevojshme për mbulim të konsumit, përfshirë edhe mbështetjen nga Republika e Shqipërisë, sot me 31 dhjetor 2021 nuk do të ketë kufizime në furnizimin me energji elektrike me udhëzim të KOSTT për qëllime të balancimit të sistemit”, njofton KOSTT.
Ndryshe, paraditen e së premtes, KEDS paralajmëroi se mbrëmjen e Vitit të Ri, mund të ketë reduktime të energjisë elektrike në Malishevë dhe Ferizaj për shkak të mbingarkesës./Insajderi.com