Paralajmërohet formimi i një partie të re politike në Kosovë

Paralajmërohet formimi i një partie të re politike në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten ka njoftuar se ka pranuar një aplikim për një parti të re politike, njofton Insajderi.

Yll Buleshkaj nga Zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim ka thënë se janë duke e shqyrtuar aplikimin.

“E kemi pranuar një aplikim për parti të re me emrin ‘Forca e Diasporës’. Jemi në shqyrtim të saj”, ka bërë të ditur Buleshkaj.

Iniciativat “Bashkë për Istogun” dhe “Lista Guxo” janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Buleshkaj ka njoftuar tutje se “Lista Guxo” do të kandidojë në Ferizaj vetëm për Kuvend Komunal.

Ndërsa, Burim Ahmetja, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit, ka sqarua se sipas të dhënave nga shërbimi votues, deri më 22 korrik, janë pranuar një mijë e 295 aplikacione për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar një mijë e 208, ndërsa 87 të tjera jo pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

Deri më 18 gusht, të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës.

Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore për t’u regjistruar si votues jashtë vendit mund të votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 15 tetor 2021./Insajderi.com