Paralajmërohet kthimi i ekipeve mjekësore në pika kufitare

Paralajmërohet kthimi i ekipeve mjekësore në pika kufitare

Me rritjen e numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë përsëri do t’i vendosë ekipet mjekësore nëpër pikat kufitare të tërë territorit, njofton Insajderi.

Komuna e Vushtrrisë ka mbuluar pikën kufitare në Jarinje me staf mjekësor në fazën e parë të pandemisë.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Sylejman Meholli, ka thënë se për ta bërë përsëri këtë u duhet ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, si me staf mjekësor, ashtu edhe me mjete financiare.

Të gatshëm janë shprehur edhe nga Komuna e Prizrenit, megjithatë edhe atje përmendet numri i vogël i stafit mjekësor.

Përderisa Asociacioni i komunave të Kosovës nuk e ka përkrahur idenë që komunat të dërgojnë staf mjekësor nëpër pikat kufitare, pasi që thonë se matja e temperaturës mund të bëhet edhe nga dikush tjetër, raporton koha.net.

Sipas AKK-së, gjatë kësaj periudhe komunat kanë marrë shumë përgjegjësi nga niveli qendror dhe ato e kanë nën përgjegjësi që t’i vizitojnë familjet e prekura nga COVID-19, ndër shumë përgjegjësi të tjera. /Insajderi.com