Paralajmërohet publikimi i të gjitha shpenzimeve të të akuzuarve në Hagë

Paralajmërohet publikimi i të gjitha shpenzimeve të të akuzuarve në Hagë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar të premten se do të publikohen shpenzimet e të akuzuarve në Hagë, njofton Insajderi.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ishte bashkë me Haxhiun gjatë konferencës për media kishte deklaruar se “dikush nga të akuzuarit në Hagë ka marrë më shumë para nga buxheti sesa i duhen”.

Kur u pyet për këtë, Haxhiu tha se e kishin të pamundur t’i publikonin shpenzimet për shkak të një vendimi që e kishte marrë Ramush Haradinaj gjatë kohës sa ishte kryeministër.

“Prandaj në këtë drejtim, në bashkëpunim me Zyrën e  Kryeministrit tash është marr vendimi nga kryeministri Kurti për të lejuar qasje në shpenzimet veç e veç ndaj këtyre personave”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj nuk ka nevojë pse të fshehen shpenzimet pasi janë brenda legjislacionit në fuqi.

“Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person”.

Pas shfuqizimit të vendimit i cili pengonte shfuqizimin e shpenzimeve të të akuzuarve, Haxhiu shtoi se duhen edhe disa ndryshime në udhëzime administrative.

“Edhe në koordinim me kryeministrin Kurti ne e kemi shfuqizuar atë vendim dhe na duhen edhe disa ndryshime në udhëzimin administrativ dhe pas shtatë ditësh pas publikimit në Gazetën Zyrtare kushdo që dëshiron qasje në to mund t’i ketë”, përfundoi Haxhiu. /Insajderi.com