Paralajmërohet rritje e çmimit të ujit të pijes dhe shërbimeve të mbeturinave

Paralajmërohet rritje e çmimit të ujit të pijes dhe shërbimeve të mbeturinave

Çmimi i ujit të pijes dhe ai i shërbimeve të mbeturinave mund të rritet ditëve në vazhdim, megjithatë vendime ende nuk janë marrë.

Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa, thotë se në rast se mund të ketë ndonjë rritje eventuale të çmimit të ujit, kostoja mund të shkoj deri 1 ose 2 cent.

Xhafa thotë se po përpiqen që çmimin ta rrisin në mënyrë simbolike pa rënduar jetesën e qytetarëve.

“Mund të ketë potencialisht një ngritje prej 1 cent ose 2 cent, por që në total në faturën ose në xhepin e konsumatorit maksimumi që mund të reflektoj është 10-15 cent e që është ekstrem e vogël”.

Ai thekson po ashtu se pjesa e tarifave për pagesa të ujit caktohet nga Autoriteti Rregullator për Ujëra.

“Ne nuk është se caktojmë tarifa dhe krejt çfarë bëjmë është se dërgojmë shpenzimet e të cilave bëjmë aplikimin tarifor dhe ky është vit i tarifave sepse tarifat nga autoriteti rregullator caktohet çdo tri vite dhe këtë vit jemi ende jemi në procedurë”.

Sipas tij, autoriteti po trajton këtë çështje jo vetëm për ujësjellësin rajonal të Prishtinës, por për të gjithë ujësjellësit në Kosovë.

Rritet borxhi ndaj ujësjellësit “Prishtina”, mbi një milion euro vetëm  gjatë pandemisë - KosovaPress

Sokol Xhafa

Të njëjtën e thonë edhe Kompania Rajonale “Pastrimi”. Arbnora Ademi zëdhënëse e kësaj kompanie, bën të ditur se fatura e tanishme është solide për qytetarët dhe një ngritje eventuale është në diskutim e sipër.

“Sigurisht që krahasuar me faturat e institucioneve tjera apo borxheve publike që ne si qytetarë kemi obligim ndaj shtetit tonë të paguajmë, fatura e mbeturinave është mjaftë solide dhe e kapshme për të gjithë qytetarët”, thotë Ademi për EO.

“Ndërsa, sa i përket rritjes së faturës së mbeturinave është në diskutim e sipër edhe pse një gjë e tillë nuk vendoset nga kompania regjionale e mbeturinave”.

“Sigurisht që kjo do duhej të diskutohej përmes kuvendit të komisionit të aksionarëve të komunave përkatëse ku kompania e pastrimit kryen shërbim dhe pastaj të aprovohet një ndryshim i tillë, në mënyrë që të krijohet një rregullore e cila do aplikohet nga kompanitë dhe njësitë tona”.

Ajo shton se nëse ndodh një gjë e tillë, kjo do ishte në interes të kompanisë së tyre, pasi thotë se funksionojnë përmes forcave vetanake.

Arbnora Ademi

Nga muaji shtator i këtij viti tregjet botërore dhe njëkohësisht edhe Kosova po ballafaqohet me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore. Sipas Agjencisë së Statistikave veç muajin që shkoi çmimet janë ngritur për 4.9%./Insajderi.com