Paralajmëron Haxhiu: Nuk pyesim për pandemi nëse na bosnjëzohet Kosova

Paralajmëron Haxhiu: Nuk pyesim për pandemi nëse na bosnjëzohet Kosova

Ish-ministrja e Drejtësisë dhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar “pakënaqësi dhe rezistencë të madhe qytetare” në rast se kryeministri Avdullah Hoti, tenton të shtyjë përpara themelimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, transmeton Insajderi.

E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në T7, Haxhiu tha se pandemia nuk do të mund t’I ndalë njerëzit nëse ekziston rreziku që të “bosnjëzohet” Kosova.

Kur është pyetur nëse kjo nënkupton protesta, Haxhiu ka thënë se s’mund të pyesin për situatën pandemike nëse rrezikohet që Kosova të ‘boznjëzohet”.

“Tash, ne jemi shumë të lumtur që është shtyrë takimi i Brukselit, për faktin se çfarëdo përpjekje e Hotit për ta jetësuar Zajednicën do të hasë në pakënaqësi dhe në rezistencë të madhe qytetare. Ne nuk mund të pyesim për pandemi, nëse neve na bosnjëzohet vendi”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut, “Zajednica” është “shtet brenda shtetit të Kosovës”, dhe shton se janë duke e vëzhguar me kujdes situatën dhe veprimet që do të ndërmerr kryeministri Hoti.

“Hoti thotë sot nuk e bëj, nesër e bën, prandaj. Se ndonëse deklaron kështu, jam e bindur që do të tentojë të bëjë diçka, po e vëzhgojmë me kujdes dhe do të veprojmë varësisht prej situatës”, ka thënë Haxhiu. /Insajderi.com