Parashikimet që s’i dolën Albin Kurtit

Nxitur nga këto rezultate, Albin Kurti kishte pritshmëri të mëdha për Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Deputeti i VV-së thoshte se "pret që VV-ja do të shkojë në balotazh në më shumë se 10 komuna".

Parashikimet që s’i dolën Albin Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë politike në zgjedhjet qendrore të 11 qershorit. Në nëntë komuna, kjo parti kishte fituar më së shumti vota në zgjedhjet e para katër muajve.

Nxitur nga këto rezultate, Albin Kurti kishte pritshmëri të mëdha për Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Deputeti i VV-së thoshte se “pret që VV-ja do të shkojë në balotazh në më shumë se 10 komuna”.

Në një intervistë dhënë Gazetës JNK, në muajin gusht të këtij viti, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje shprehej optimist për rezultatin e zgjedhjeve lokale. Deklaronte se Vetëvendosje mund të shkonte në balotazh deri në 15 komuna.

“Rezultatet e 11 qershorit na treguan se mund të presim balotazh në 10 deri në 15 komuna. Por mund të ketë befasi. Ka komuna të mëdha ku, po të na ndihmojnë pak qytetarët, mund të fitojmë edhe pa balotazh”, kishte thënë Kurti.

Por 22 tetori ishte dita që ia prishi pritjet Albin Kurtit. Në ditën e zgjedhjeve lokale, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të shkonte në balotazh në më shumë se gjashtë komuna.

Po ashtu, partia e Kurtit nuk arriti të fitonte asnjë komunë në raundin e parë.

Prishtina, Gjilani, Kamenica, Kaçaniku, Besiana dhe Prizreni janë gjashtë komunat të cilat Lëvizja Vetëvendosje do tentojë t’i fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 19 nëntor.

Nga gjashtë komunat ku do të shkojë në balotazh, VV-ja ka arritur të dalë parti e parë në vetëm dy prej tyre: Prishtinë dhe Kamenicë.

Përveç Kurtit, edhe kryetari i partisë, Visar Ymeri ishte shprehur i sigurt se Vetëvendosje do të shkojë në balotazh në 10 komuna.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur mbrëmë pas përfundimit të procesit të votimit, Ymeri deklaroi se Vetëvendosje do të tentojë të fitoi 10 komuna përmes balotazhit. /Insajderi.com