Paratë për ndërtimin e Fakultetit të FSHMN-së u shpenzuan për renovim

Paratë për ndërtimin e Fakultetit të FSHMN-së u shpenzuan për renovim

Edhe pse buxheti është realizuar në masën 93%, nuk mund të thuhet se UP kishte performancë të mirë në këtë segment.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se, për shkak të ndryshimeve në menaxhment, realizimi i buxhetit, me përjashtim të pagave, kishte filluar tek pas muajit prill dhe koncentrimi i shpenzimeve ishte në gjashtëmujorin e dytë të vitit.

“Kishte lëvizje të shumta gjatë vitit nëpër kategori dhe shumë obligime të këtij viti janë bartur në vitin tjetër”, thuhet në raportin e Auditimit.

Po ashtu, për shkak të mosefikasitetit në menaxhimin e proceseve, Auditori ka gjetur se dy projekte të mëdha kapitale nuk kanë mundur të finalizohen.

“Në fakt projekti për ndërtimin e FSHMN-së me vlerë 114,000€ nuk ka filluar fare për shkak të problemeve pronësore rreth vend-ndërtimit. Mjetet e planifikuara për ketë projekt në muajin tetor janë ridestinuar për projektin për renovimin e objekteve universitare”, vlerësohet në atë raport.

“Derisa për projektin e Ndërtimit të Dekanatit të Mjekësisë, nga 400,000€ sa ishin të buxhetuara, për shkak të menaxhimit jo të mirë janë shpenzuar vetëm 271,687€, apo 68% prej tyre”, thuhet në tej aty.

Sipas Auditorit, rreziku qëndron në atë se nevojat e shumta për përshtatje janë tregues që përgatitja e buxhetit nuk është bazuar në kapacitetet reale të UP-së për realizimin e tij, raporton Insajderi.

“Mosrealizimi i projekteve të rëndësishme kapitale rrit rrezikun që stafi i UP-së të mos i ketë kushtet e përshtatshme për të siguruar shërbime cilësore ndaj studentëve”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditorit i rekomandon rektorit të UP-së se duhet të sigurojë që përgatitjes së kërkesave buxhetore t’i paraprijë një analizë e mirëfilltë e të gjithë faktorëve që kanë ndikim në realizimin e buxhetit.

Përveç kësaj, Auditori thotë se duhet të përmirësohet menaxhimi i projekteve kapitale për t’u siguruar se ato përfundohen sipas afateve të kontraktuara dhe me cilësi optimale./Insajderi.com