Parlamenti Evropian i pakënaqur me bllokadën për Maqedoninë e Veriut

Parlamenti Evropian i pakënaqur me bllokadën për Maqedoninë e Veriut

Parlamenti Evropian konsideron se bllokada e djeshme nga Bullgaria për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut, pengon pajtimin në tërë rajonin.

Ilhan Quçuk, raportuesi për Maqedoninë e Veriut dhe Andreas Shnajder, shefi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, lëshuan kumtesë të përbashkët, duke kërkuar vendim për fillimin e negociatave pa vonesa të mëtejshme.

“Dështimi i ministrave të Çështjeve Evropiane për të miratuar kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, shtyrja e negociatave të anëtarësimit në BE kërcënon besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thanë euro-deputetët në kumtesën zyrtare të Parlamentit Evropian.

Ata kërkojnë që t’i jepet përparësi zgjidhjes evropiane në vend se interesave të njëanshme të vendeve anëtare. Parlamenti Evropian beson se pamundësia për të arritur kompromis është për shkak të vetos së Bullgarisë dhe kështu rrezikon të gjithë pajtimin rajonal.

“Ne e pranojmë progresin e bërë nga ana e Shkupit në reformat themelore demokratike dhe ekonomike dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë dialog konstruktiv të bazuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë, në përputhje me një proces të parashikueshëm, objektiv të pranimit në BE, të bazuar në merita”, njofton
Parlamenti Evropian, duke shtuar se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet deri në fund të këtij viti për të treguar se dialogu po sjell rezultate. /Insajderi.com