Parlamenti Evropian nesër pritet të miratojë raportin për Kosovën

Parlamenti Evropian nesër pritet të miratojë raportin për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka bërë të ditur se nesër PE do të miratojë raportin e saj për Kosovën, pasi një gjë të tillë e kishte bërë më herët Komisioni i Parlamentit Evropian për Punë të Jashtme, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Twitter, Von Vramon tha se debate mbi këtë raport do të fillojë rreth orës 11:00.

Me 50 vota për, 10 kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i PE-së ka miratuar në muajin shkurt raportin për Kosovën, në të cilin u bëhet thirrje edhe një herë pesë shteteve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jo stabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë. /Insajderi.com